“Perëndimi nuk mund t’i bëjë presion Kurtit”, Petkoviçi zemërohet me Lajçakun

schedule10:59 - 17 Janar, 2022

schedule 10:59 - 17 Janar, 2022

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç ka paralajmëruar se Serbia do të synojë t’i mbajë zgjedhjet e 3 prillit edhe në Republikën e Kosovës, ndonëse një referendum për disa ndryshime në kushtetutën e Serbisë nuk u lejua të mbahej të dielën.

“Përkundër faktit se Albin Kurti e pengoi referendumin në Kosovë, ne do të vazhdojmë të punojmë për mbajtjen e zgjedhjeve më 3 prill”, ka thënë Petkoviç.

Duke folur për TV Prva, ai si gjithmonë, nuk la pa përsëritur diçka prej fjalëve të shefit të tij, duke thënë se Kosova do të përballet me “pasoja të paparashikueshme” pas vendimit për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë. Po njësoj u shpreh dje presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

“Situata është e tensionuar pasi dje është vërejtur një demonstrim i forcës nga Albin Kurti, policia e Kosovës dhe ROSU, të cilët kanë qëndruar në rrugën rajonale ndërmjet Lepovisaçit dhe Mitrovicës me armë të gjata dhe automjete të blinduara”, tha Petkoviç.

Ai tregoi se e ka telefonuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak për t’ia shprehur zemërimin për vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe për personat që u ndaluan në kufi kur tentuan ta fusnin materialin e referendumit. Petkoviq shprehet i zemëruar që Lajçak s’ka mundur ta bind kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për të ndryshuar mendje, transmeton Gazeta Express.

“E kam telefonuar Miroslav Lajçakun që njerëzit të lirohen dhe OSBE-ja ta marrë materialin dhe ta shpërndajë në komunitetet serbe. Ai tha se do t’i drejtohej Kurtit dhe kjo ishte e gjitha. Nuk mund të besoj se Perëndimi nuk mund t’i bëjë presion Kurtit”, tha Petkoviq.

“Perëndimi e mbështet Kosovën si fëmijën e tij”, ka shtuar ai./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!