Perëndimi vijon me reagimet kundër referendumeve që Rusia thuhet se po i mban nën kërcënimin e armës në rajonet e pushtuara në Ukrainë.
I radhës që ka dënuar metodën e përdorur nga Rusia është kryediplomati i BE-së Josep Borrell. Të mërkurën ai u shpreh se vendet anëtare të BE-së dënojnë në “termin më të fortë të mundshëm” “referendumet e paligjshme” të organizuara nga Rusia në Ukrainë.
Borrell i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të mos e njohë “referendumet e rreme.”
Duke folur së bashku me Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen në Bruksel, Borrell tha se me referendumet ilegale të organizuara nga Rusia, “Kremlini po ndjek të njëjtat lojëra që kemi parë tashmë në Gjeorgji në 2008. Dhe në Krime në 2014.”
“Ne dënojmë në termin më të ashpër të mundshëm dhe jam i sigurt se mund të flas në emër të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që asnjë prej tyre nuk do ta njohë këtë rezultat të falsifikuar”, tha Borrell, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të bëjë të njëjtën gjë. /abcnews.al/