“Akt i poshtër!”, Meta dënon përdorimin e të dhënave nga e-Albania për fushatë

schedule13:05 - 12 Prill, 2021

schedule 13:05 - 12 Prill, 2021

Presidenti Ilir Meta këtë të hënë nga Pogradeci ka reaguar në lidhje me skandalin për  përdorimin e të dhënave personale nga Partia Socialiste përmes portalit e-Albania.

Meta në fjalën e tij ka deklaruar se iu drejtua SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë që të hetojnë me shpejtësi ngjarjen, të cilën e konsideron një shkelje të papranueshme dhe të poshtër të të dhënave personale të qytetarëve.

Ndër të tjera ai ka theksuar se është e papranueshme që  E-Albania të përdorë të dhënat personale në shërbim të një partie politike.

“Jam sot këtu për të bërë publike kërkesën e Presidentit të Republikës drejtuar SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë për të hetuar me shpejtësi ngjarjen më të fundit skandaloze, atë të keqpërdorimit dhe të vjedhjes nga ana e PS, në çdo lloj forme që kjo ka ndodhur, të të dhënave personale të të gjithë qytetarëve shqiptarë, të dhëna që mbrohen nga ligji dhe që përdoren vetëm për interesin publik apo qëllime shtetërore.

Është një shkelje e papranueshme dhe e poshtër, e çdo norme dhe çdo morali për të vendosur bazën e të dhënave personale të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë në dispozicion të një force politike që ka kapur shtetin dhe nuk pranon të lërë pushtetin, dhe përdor forma të tilla të poshtra, përmes të cilave bën presion qytetarëve shqiptar me qëllim frikësimin e tyre. Koha kur shqiptarët kishin frikë nga qeveria ka mbaruar përgjithmonë, data e fundit ishte 2 marsi. Tani fillon koha kur, qeveria që do të vijë, jo kjo që ka ikur, edhe nga mendja përveç të tjerave, do të ketë frikë nga populli, askush nuk do të cenojë dhe dhunojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë”, tha Meta.e.su./abcnews.al