Përdhunuan shqiptaren në Milano, Robinho nuk i shpëton drejtësisë italiane

schedule13:56 - 6 Mars, 2024

schedule 13:56 - 6 Mars, 2024

Prangat i kërcasin sërish në fytyrë futbollistit brazilian Robinho, me këtë të fundit, që është dënuar me 9 vite burg për përdhunimin në grup të një shqiptareje në një lokal nate në Milano, pikërisht në janar të vitit 2013, teksa asokohe, ish-anësori brazilian i sulmit ishte pjesë e “gjigantëve” italianë të futbollit, Milan.

Hetimi ndaj Robinho nisi në vitin 2017 dhe gjykata italiane e dënoi me vendim të formës së prerë në 2022-shin, me 9 vite burg, të cilave deri tani braziliani u ka shpëtuar duke u rikthyer në shtëpi dhe firmosur me klubin e Santos, mirëpo duket se “arratia” e ish-“yllit” të futbollit do të marrë fund shpejt, kjo pasi Italia e Brazili janë shumë pranë një marrëveshjeje për homologimin e dënimeve të gjykatave përkatëse.

Marrëveshja pritet të ratifikohet nga Gjykata Supreme e Drejtësisë në Brazil dhe fill pas kësaj, i hapet udhë arrestimit të Robinho e dërgimit të tij në burg, për të vuajtur dënimin që ka marrë në Itali, duke u bërë kështu në vetëm pak kohë i dyti nga “legjendat” e futbollit brazilian, pas Dani Alves, që dënohet për dhunë seksuale. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!