Lamtumira e fundit për Kadarenë/ Kolosi i letërsisë shqipe përcillet për në banesën e fundit

schedule12:17 - 3 Korrik, 2024

schedule 12:17 - 3 Korrik, 2024

Përcillet të mërkurën për në banesën e fundit shkrimtari i madh, Ismail Kadare. Qeveria shpalli dy ditë zie në nderim të gjeniut të letrave shqipe, i cili u nda nga jeta mëngjesin e 1 Korrikut në moshën 88 vjeçare. Kadare do të përcillet me ceremoni shtetërore ndërsa homazhet do të mbahen në TKOB.

Homazhet publike nisën në orën 09:00. Në orën 11:30 u mbajt ceremonia shtetërore e lamtumirës së shkrimtarit, ndërsa në 12:30 nisi kortezhi i përcjelljes për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës. Në orën 13.00 do të mbahet një minutë heshtje në nder të kolosit të letrave shqipe.

Ismail Kadare ishte shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, një ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer shqiptar jashtë vendit (në 45 gjuhë). Ai ishte gjithashtu fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare si dhe i nominuar disa herë për çmimin Nobel.

Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga presidenti i Francës Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015./abcnews.al