Sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku, ka rilindur në Milano. Gjiganti i kombëtares belge po kalonte një krizë te Manchester United dhe vendimi për të kaluar në Serie A ishte i duhuri. Interi është rikthyer kompetitiv dhe për momentin pozicionohet i dyti dhe falë golave të Lukakut.
26-vjeçari nën drejtimin e Antonio Contes ka rifituar dhe një herë formën e tij më të mirë, duke u kthyer në një nga lojtarët kyç të këtij Interi. Madje ai ka thyer dhe një rekord për sa i përket golave të shënuar.
Lukaku arriti në kuotën e 20 golave në vetëm 29 ndeshje me fanellën zikaltër. Ai renditet i pari në këtë listë, duke lënë pas dhe brazilianin Ronaldo, të cilit iu deshën 31 ndeshje për të kapur 20 golat. Në fundin e kësaj liste renditet ish-kapiteni, Mauro Icardi, i cili i shënoi pas ndeshjes së tij të 39. /abcnews.al