Perandoria Ruse e Putinit po shembet si paraardhësja e saj sovjetike

schedule15:26 - 19 Shtator, 2022

schedule 15:26 - 19 Shtator, 2022

 

Nga Taras Kuzio “Atlantic Council

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Ndërsa po vazhdon që të dështojë pushtimi katastrofik i Ukrainës nga Vladimir Putin, një numër në rritje ekspertësh perëndimorë po parashikojnë shpërbërjen e vetë Federatës Ruse. Ndërsa Rusia mund t’i mbijetojë dështimit në Ukrainë, tashmë është e qartë se Kremlini ka pësuar një humbje historike të ndikimit në gjithë rajonin post-sovjetik.

Ashtu si në vitin 1991, ky kolaps po ndodh për shkak të përpjekjeve të Ukrainës për t’i shpëtuar kontrollit të Moskës. Që nga fillimi i viteve 1990, Kremlini ka këmbëngulur që Perëndimi ta njohë ish-Bashkimin Sovjetik si sferën ekskluzive të ndikimit rus.

Kjo kërkesë i parapriu vjen prej gati 1 dekade që prej ardhjes së Vladimir Putin në  pushtet, dhe është një nga shtyllat qendrore të politikës së jashtme ruse. Pra Moska kurrë nuk e pranoi vërtet verdiktin e vitit 1991, dhe ka synuar gjithmonë që të ruajë ndikimin e saj perandorak në të gjithë ish-BRSS.

Duke nisur që nga fillim-vitet 1990, Rusia e përdori ushtrinë e madhe që trashëgoi nga BRSS për t’i imponuar konflikte të ngrira dhe ndërtuar baza ushtarake tek fqinjët e saj më të dobët post-sovjetikë, duke i detyruar këta të fundit që të mbanin lidhje të forta ekonomike, dhe t’u bashkoheshin strukturave politike dhe të sigurisë të udhëhequra nga Rusia.

Tani ky dominim rus po sfidohet më në fund. Arsyeja është e thjeshtë: fitoret ushtarake të Ukrainës, kanë hedhur poshtë pretendimet e Moskës për statusin e një fuqie të madhe, dhe kanë shkatërruar mitin e fuqisë ushtarake ruse. Dëshmitë e ndikimit në rënie të Rusisë, mund të shihen në të gjithë botën post-sovjetike.

Në vijën e frontit në Ukrainë, forca pushtuese e Putinit po vuan nga mungesa gjithnjë e më e dukshme e burimeve njerëzore, duke i bërë qesharake përpjekjet e tij për ta portretizuar Rusinë si fuqia ushtarake nr.2 në botë. Moska është detyruar të tërheqë trupat nga dislokimet e saj në të gjithë ish-BRSS, duke rekrutuar ushtarë edhe nga radhët e të burgosurve.

Tërheqjet ushtarake të Rusisë nga Azia Qendrore, kanë sjellë përleshje të reja kufitare midis Kirgistanit dhe Taxhikistanit. Dinamika e ndryshimit në rajon, u shfaq edhe në samitin e fundit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Uzbekistan, ku liderët e Indisë dhe Kinës shprehën shqetësime për pushtimin rus të Ukrainës.

Ndërkohë presidenti i Kirgistanit, e la qëllimisht Putinin ta presë për disa minuta përpara takimit të tyre dypalësh. Dikur Putin ishte i famshëm për faktin se i detyronte liderët botërorë që ta prisnin. Por tani rolet kanë ndryshuar. Tërheqja e afro 1000 trupave ruse nga Armenia, për të forcuar linjat e frontit në Ukrainë, ishte një sinjal për vendet e Kaukazit Jugor se ndikimi i Kremlinit në rajon është në rënie.

Deri më sot Armenia ka refuzuar të shohë realitetit në sy dhe vazhdon t’i varë të gjitha shpresat e saj tek Moska. Azerbajxhani, vend që ka ndjekur një politikë të jashtme shumë-vektorëshe, dhe që nuk i është bashkuar nismave të udhëhequra nga Rusia, e ka përdorur ndikimin në rënie të Moskës për të nisur një operacion ushtarak kundër Armenisë.

Bashkimi Evropian është përpjekur, por deri më tani ka dështuar të ndërmjetësojë një traktat paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, që do të njihte kufirin që ndan dy vendet dhe do t’i jepte fund 3 dekadave konflikt. Ndërkohë, armenët kanë protestuar në Jerevan për nënshkrimin e mundshëm të një traktati paqeje.

Megjithatë, është e vështirë të shihet se si Armenia mund të shpresojë të mposhtë fqinjin e saj më të pasur dhe ushtarakisht më të fortë pa mbështetjen e Rusisë. Tërheqja e Rusisë nga rajoni ka pasoja të mëdha edhe për Gjeorgjinë fqinje dhe figurën dominuese të vendit, oligarkun pro-Kremlinit Bidzina Ivanishvili.

Nën ndikimin e Ivanishvilit, demokracia gjeorgjiane ka ngecur në vend-numëro. Vendit nuk iu ofrua statusi i kandidatit në BE së bashku me Ukrainën dhe Moldavinë në verën e këtij viti. Gjeorgjia nuk e ka mbështetur zyrtarisht Ukrainën për pushtimin rus, dhe i është bashkuar Armenisë për ta ndihmuar Moskën që t’i shmanget sanksionet.

Ky qëndrim është në kundërshtim me opinionin publik gjeorgjian, ku një shumicë e qartë mbështet Ukrainën. Në fakt, njësia më e madhe ushtarake ndërkombëtare që lufton kundër Rusisë në Ukrainë është Legjioni Gjeorgjian. Besohet se tani Tbilisi mund ta përdorë kolapsin e pushtetit rus për të ndërhyrë kundër Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, dy rajonet e shkëputura gjeorgjiane të kontrolluara nga Kremlini, të njohura nga Moska si shtete të pavarura.

Edhe Moldavia po i vëzhgon nga afër ngjarjet në Ukrainë, dhe po e shikon konfliktin e saj të ngrirë të orkestruar nga Kremlini. Trupat ruse janë vendosur në Transnistria që nga fillimi i viteve 1990. Sukseset ushtarake të Ukrainës, po nxisin debatin nëse ka ardhur koha për ta sfiduar praninë e vazhdueshme të kësaj pranie të vogël dhe të izoluar të ushtrisë ruse në lindje të vendit.

Tërheqja e Rusisë nuk është askund më e menjëhershme, apo më e dukshme sesa në Ukrainë. Pushtimi brutal i Putinit, duhej të shmangte integrimin euroatlantik të Ukrainës, dhe ta detyronte vendin të kthehej dukshëm në orbitën e Kremlinit. Në vend të kësaj, ajo e ka kthyer opinionin publik ukrainas me vendosmëri kundër Rusisë, duke i bashkuar ukrainasit.

Tani sondazhet tregojnë vazhdimisht qëndrime të ngjashme në të gjithë Ukrainën Perëndimore dhe Lindore ndaj Rusisë, identitetit kombëtar, gjuhës dhe politikës së jashtme. Në vend të shkatërrimit të kombit ukrainas, agresioni rus ka përshpejtuar në mënyrë dramatike përparimin e vendit në ndërtimin e kombit.

Në të gjithë ish-hapësirën e BRSS, aleatët e vetëm besnikë të Rusisë janë Bjellorusia dhe Armenia. Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) e udhëhequr nga Moska dhe Unoni Ekonomik Euroaziatik, nuk po funksionon siç duhet. Ukraina dhe Moldavia janë sot brenda sferës së ndikimit të BE-së.

Azerbajxhani e ka forcuar aleancën strategjike me Turqinë, dhe është një fuqi ekonomike dhe ushtarake në rritje, burimet energjetike të të cilit do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për BE-në, në kushtet kur Evropa po synon t’i japë fund varësisë së saj nga Rusia.

Ndërkohë po zbehet edhe qëndrimi i panatyrshëm pro-rus i Gjeorgjisë. Nga ana tjetër Kina e ka zëvendësuar Rusinë si fuqia kryesore në Azinë Qendrore. Performanca poshtëruese ushtarake e Rusisë në Ukrainë, dhe izolimi ekonomik nga bota perëndimore, e kanë konfirmuar statusin e saj si partnerja më e vogël e Kinës.

Tridhjetë vjet pas shpërbërjes së BRSS, Rusia gjendet në mesin e një tjetër kolapsi perandorak. Vendet që i kaluan 3 dekadat e fundit si pjesë e perandorisë informale të Moskës po distancohen tani nga Rusia dhe po marrin vetë nën kontroll fatet e tyre. Tani, janë Evropa, Turqia dhe Kina, ato që shihen si partnere ekonomike më tërheqëse.

Është Sërish Ukraina, ajo që po shërben si katalizator për izolimin e Rusisë. Pushtimi i Putinit synonte ta shuante njëherë e përgjithmonë shtetin ukrainas. Por në vend të saj, ndikimi perandorak rus rrezikon që të bjerë në nivele të papara prej qindra vitësh.

Shënim:Taras Kuzio, profesor i shkencave politike në Akademinë Kombëtare të Universitetit Mohila në Kiev.