“Është hera e parë në jetën time që shoh spital me sy. Unë në korrik mbush 95 vjeç”.
Është 95-vjeç, Enrik Prendushi nuk i ka parë shpesh ambiente e spitalit. Në gati një shekull jetë, ai tregon se kjo është hera e parë që shtrohet në spital, pasi muajt e fundit shfaqi probleme me rrahjet e zemrës.
“Këtë problem e kam pasur 2–3 muajt e fundit. Çrregullimi është i rrahjeve të pulsit. Gjithë jetën nuk jam trajtuar as për zemër, dhe asnjë problem tjetër. Kam bërë një jetë normale.”
Prendushi ka punuar për shumë dekada si topograf, duke shkelur pothuajse çdo cep të vendit në këmbë. Përveç jetës aktive, ai tregon se ka qëndruar larg veseve të këqija si duhani apo alkooli, ndërsa thotë se ka ndjekur edhe dietën e shëndetshme ushqimore.
“Si topograf kam shëtit gjithë jetën për shkak të punës. Plus ka të bëjë edhe trashëgimia. Vëllai 87, motra ende gjallë dhe mbush 99 vjeç. Nuk kam abuzuar kurrë në jetën time. 30 vitet e fundit kemi pasur regjim të fortë ushqimor, me orar fiks për tre vaktet.”
Pas daljes në pension si topograf, ai punoi deri në moshën 80-vjeçare në ndërtim. Krahas jetës aktive, pasioni për të ecur në këmbë e shoqëron edhe sot e kësaj dite, edhe pse me orë të reduktuara.
“Deri në 80 vjeç kam punuar. Edhe, pse isha në pension, kam punuar në ndërtim. E kam shtëpinë te stacioni i trenit, lëvizja për shumë vite në këmbë me bashkëshorten time deri te liqeni. Për vite të tëra. Vitin e fundit sikur më kanë lënë pak këmbët, më kanë thënë me marr shkop, do ta marr. Deri tash kap pas krahun e gruas ndihmë”.
Historia e 95-vjeçarit na dëshmon se rregullat e jetës janë të thjeshta, por kërkojnë disiplinë dhe përkushtim për t’u zbatuar.
“Me lëvizje, mos me abuzua me alkool e duhan i dimë të gjithë… por janë rregulla të thjeshta, po nuk i zbatojmë.”
Shpesh herë specialistët e shëndetit jetëgjatësinë e lidhin me stilin e jetesës, si jeta aktive, ushqyerja e shëndetshme dhe larg veseve të këqija si duhani apo alkooli.


