Për herë të parë në histori, Estonia do të drejtohet nga një kryeministre grua

schedule11:15 - 25 Janar, 2021

schedule 11:15 - 25 Janar, 2021

Për herë të parë në estoni kryeministre do të jetë një grua. Më në fund duket se dy partitë më të mëdha politike në Estoni, kanë arritur marrëveshje për të formuar qeverinë e re, e cila do të drejtohet nga Kaja Kallas.

Mediat bëjnë me dije se këshilli i partisë së Qendrës së Djathtë, Partia e Reformës dhe këshilli i Partisë së Qendrës, kanë votuar të dielën në të mirë të bashkimit në një kabinet të udhëhequr nga Kaja Kallas, e cila drejton edhe Partinë e Reformës.

Të dyja partitë “do të formojnë qeverinë, e cila do të vazhdojë të përballet me krizën e pandemisë, do ta çojë përpara Estoninë dhe do të zhvillojë të gjitha zonat dhe rajonet e shtetit tonë”, kanë thënë këto parti përmes një deklarate.

Qeveria e re do të zëvendësojë kabinetin paraprak, i cili ka dështuar si pasojë e një skandali të korrupsionit më herët gjatë këtij muaji. Kryeministri Juri Ratas, ka dhënë dorëheqje më 13 janar, për shkak të skandalit, mirëpo ka insistuar se ai personalisht nuk ka bërë asgjë të keqe.

Dorëheqja e tij ka rezultuar me shpërbërje të koalicionit qeveritar, andaj presidentja Kersti Kaljulaid i ka kërkuar lideres Kallas që të formojë qeverinë e re.

Kaljulaid është po ashtu presidentja e parë grua e këtij shteti.

Kaja Kallas, avokate dhe ish-ligjvënëse e Parlamentit Evropian, ka udhëhequr Partinë e Reformës prej vitit 2018./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!