Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Për herë të parë, LSDM dhe BDI përplasen për Kodin Zgjedhor

schedule13:12 - 13 Dhjetor, 2019

schedule 13:12 - 13 Dhjetor, 2019

LSDM dhe BDI, dy partitë në koalicion qeveritar në Maqedoninë e Veriut, nuk bien dakord për ndryshimin e kodit zgjedhor. Kryeministri Zoran Zaev thotë se ky është konfrontimi i parë mes partnerëve të koalicionit LSDM dhe BDI, por vë në dukje se koalicioni qeveritar është krijuar në bazë të programeve të shëndosha, dhe se funksionon mirë edhe krahas qëndrimeve të ndryshime për disa çështje.

VMRO-DPMNE me mbi 1.000 ndërsa BDI me 500 amendamente bllokojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor të cilat gjenden në procedurë parlamentare. Ndërkohë, LSDM mbështet ndryshimet me të cilat propozohet një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, dhe kërkon nga VMRO-DPMNE dhe BDI t’i tërheqin amendamentet dhe të hapet debat.

“Këtu do të jetë konfrontimi i parë, ne kemi paralajmëruar një njësi zgjedhore, do të luftojmë deri në fund. Debatin për amendamentet duhet ta shfrytëzojnë si të drejtën e tyre. Por, ne do të mbijetojmë, unë bëra thirrje që në Parlament të luftojmë, të shohim sa prej përfaqësuesve të qytetarëve të shprehur me mandate janë për ndryshim të modelit zgjedhor dhe gjithsesi këtu do të votohet”, deklaroi Zaev për pesë mijë amendamentet e parashtruara nga BDI.

Çdo bllokim, sipas tij, duhet të sqarohet para qytetarëve.

Grupi i deputetëve të BDI-së ka parashtruar pothuajse 5.000 amendamente për propozim – ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Artan Grubi nga kjo parti tha se këto rregulla të lojës duhet të miratohen për të gjitha partitë politike në mënyrë konsensuale, në pajtim me të gjitha partitë politike.

Ministrja maqedonase e Drejtësisë Renata Deskoska ka thirrur një takim me të gjitha partitë parlamentare, por edhe jashtëparlamentare dhe për përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të institucioneve të tjera, ku do të bisedohet për gjetjen e një modeli më të mirë të mundshëm zgjedhor dhe Kodit Zgjedhor. Këto zgjidhje, sipas saj, do të duhej të formulohen në mënyrë konsensuale në Propozim-ligjin dhe të miratohen nga të gjithë.

VMRO-DPMNE-ja ka dorëzuar afro 950 amendamente për Propozim-ligjin për Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, bëri të ditur Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE. Milloshovski tha se VMRO-DPMNE-ja ka qëndrim parimor se secili Kod Zgjedhor duhet të miratohet me koncensus sa më të gjerë partiak dhe sa më larg momentit zgjedhor. Ai konfirmoi se VMRO-DPMNE-ja ka dorëzuar rreth 600 amendamente të Ligjit për një njësi zgjedhore dhe po aq amendamente për propozim-ligjin që ka të bëjë me listat zgjedhore.

Sipas propozuesve të një njësie zgjedhore dhe lista të hapura, ndarja aktuale në gjashtë njësi zgjedhore favorizon partitë e mëdha politike, duke penalizuar partitë më të vogla dhe të pavarurit. Partitë e vogla vlerësojnë se vendosja e një njësie zgjedhore pa prag zgjedhor dhe lista të hapura do të sigurojë pluralizëm politik dhe demokraci./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!