“Për fjalimin e shokut Enver, Xhaviti tha se ai ka frikë nga inteligjenca”, raporti i agjentit në burg

schedule07:43 - 19 Dhjetor, 2021

schedule 07:43 - 19 Dhjetor, 2021

Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Dokumenti ekstrakt i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Esat Lata, me informacionet ndaj të dënuarit Xhavit Qesja, të marra nga përgjimet me Teknikë Operative në Burgun e Burrelit

EKSTRAKT

“PËR XHAVIT QESEN NXJERR NGA INFORMACIONI I T.O.”

Xhavit Qesja – Ato e justifikojnë se të burgosurit thyejnë kampin, por Papa do ta marri vesh.

Po për myslimanët? Po për myslimanët a do të heq Papa?
Unë Papës i besoj 1% dhe jo 100%. E kam unë atë që pat Diloja, e e kam unë nga ajo që mbajta unë nga ngjarjet politike, aty është shënuar.

Por që kam parasysh një vizitë të mundshme të Niksonit në Bashkimin Sovjetik dhe atje thuhet në deklaratën e Niksonit, që ka thënë se: po të arrihen disa pikësynime të caktuara të zgjedhjeve të problemeve ndërkombëtare, atëhere do të futemi edhe në zgjidhjen e problemit të Kinës, në qoftë se kanë në takimin e fundit që ka Brezhnjevi…! Me siguri, me siguri nuk duket xhanëm. Po se ç’ka thënë Papa ca gjëra.
Dy vjetët e para të këtij 5 vjeçari, u realizuan për mrekulli.
PUNËTORI OPERATIV

ESAT LATA

Dokumenti ekstrat i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Esat Lata, me informacionet ndaj të dënuarit Xhavit Qesja, të marra nga përgjimet me Teknikë Operative në Burgun e Burrelit

12/6/1973

E K S T R A T

PËR XHAVIT QESEN, NXJERR NGA INFORMACIONI I T.O. DATË 23.8.1973

Duke diskutuar për kuadrot që u zgjodhën në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, Xhaviti u shpreh se: Enver Halili qe një njëherë një anëtarë i Gjykatës së Lartë dhe me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, mbajtën një qëndrim shumë të poshtër. Këto janë të poshtër nga karakteri. Ka qenë i poshtër nga karakteri që kurë i dërgonte gazetës “Pionieri” vjershat e tija, kur ishte në gjimnazin e Gjirokastrës dhe u shkruante: Ju shokët e redaksisë, në qoftë se i botoni ashtu siç janë, pa i luajtur, bile edhe asnjë presje; do të thuash se e ka të drejtë atë, po mirë, ore mirë…… e tjerë.

PUNËTORI OPERATIV

ESAT LATA

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Esat Lata, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Beni”, lidhur me bisedat e bëra nga i dënuari Xhavit Qesja, pas daljes së tij nga spitali dhe ardhjes në burgun e Burrelit

Marrë nga B.P. “Beni” nëpërmjet kutisë postare

Data 12/8/1973

R A P O R T

Lidhur në atë se ç’solli Xhavit Qesja nga spitali shkurtimisht, “Marrëdhëniet Shqiptaro-Kineze, nuk janë ato që reflekton shtypi, ka divergjenca të mëdha midis dy kurseve, atij të Çu En Lait dhe Enver Hoxhës. Çu En Lai i ka deklaruar Partisë së Punës së Shqipërisë, se Kinezët nuk aprovojnë kursin e politikës së jashtme që ndjek P.P.Sh.-ja, duke e cilësuar si kurs të ngurtë, sektar, kurse për sa i përket politikës së brendshme, Partia Komuniste Kineze, nuk e aprovon mënyrën e të konceptuarit dhe të vënies në jetë të nocionit të Diktaturës së Proletariatit në Shqipëri. Kinezët ngulin këmbë që Shqiptarët të reflektojnë lidhur me këto, sidomos përsa i përket vendosjes së marrëdhënieve të ngushta dhe të krijimit në Ballkan të trekëndëshit: Bukuresht – Tiranë – Beograd”.

Tjetër lajm: “Kinezët kanë blerë në SH.B.A.-ja një numër aeroplanësh reaktiv supersonik dhe kanë dërguar atje për t’u stërvitur, 58 instruktorë pilotë Kinez.

Radiot e huaja njoftojnë se periodikisht zhvillohen bisedime të fshehta ndërmjet Partive të Kinës dhe B.R.S.S.-së në rang anëtari të Byrosë Politike, e tjerë.

Përsa i përket situatës në vend dhe vlerësimit të fjalimeve të fundit të Enver Hoxhës; Xhaviti thotë se tregon frikën që ka udhëheqja nga rinia dhe inteligjenca, por mendon se Enver Hoxha, nuk do të kaloi në rrugën e dhunës, ku dëshiron ta fusë Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu. Ai do të moderohet dhe pasi të ketë zhdukur ç’faqet ekstremiste më moderne, do të gjejë një rrugë të mesme.

“BENI”

Vlerësimi i të dhënës:

E dhëna ka vlerë për arsye se Xheviti i paraqet marrëdhëniet Shqiptaro-Kineze, si marrëdhënie që kanë divergjenca, se udhëheqësit Kinez, nuk e aprovojnë kursin që ndjek P.P.SH.-ja, se Kinezët kanë marrëdhënie me amerikanët.

Siç del edhe nga e dhëna, Xhaviti i ka thënë pasi ka ardhur nga spitali i Tiranës, i cili ka qenë i shtruar.

DETYRË: Agjentit “Beni” ju dha detyrë që të na sqaroi në bisedë me Xhavitin, se kur i ka mësuar këto biseda, ku dhe nga kush i ka mësuar këto biseda.

MASAT – OPERATIVE

E dhëna u shtyp në një kopje për pjesën ku bën fjalë për Xhavit Qesen dhe u vendos në dosjen e tij formulare.

PUNËTORI OPERATIV

ESAT LATA

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Esat Lata, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Beni“”, lidhur me bisedat e bëra nga i dënuari Xhavit Qesja, në burgun e Burrelit

Dhënë Agjenti “Beni”

Marrë P.Op. Esat Lata, Asistuan

Kryetari i Degës F. Sinojmeri

dhe Zv. Kryetari Degës VIII-të, B. Suljemani.

Burrel, më 23/8/1973

R A P O R T

Përsa i përket burimit të informacionit që mori Xhaviti në spital, ky i fundit nuk i ka thënë gjë konkrete atij, por në bisedë e sipër, fill pas ai u kthye nga spitali, Xhaviti ka thënë se gjatë kalimit nga një pavijon në tjetrin, i ka rënë të banojë me Ylli Tabakun, i burgosuri politik, i cili ka qenë edhe këtu në Burrel, me një djalë 16 vjeçar nga Tepelena, që ishte futur në burg, pse kishte puthur në mes të oborrit ish-të fejuarën e tij, kur kjo kishte filluar të ftohej me të, ish-të burgosurin politik të liruar më 1968, por që ishte arrestuar përsëri dhe ndodhej në hetuesi për faje _______________, Ramadan Muça nga Vlora (i ka dhënë të motrën e “Benit”), me një të ri të dënuar, pse kishte ngrënë parat e vjedhura nga dy shoqe shitëse që i kishte njëkohësisht të dyja ___________. Nga këto që përmendëm, informator më i mundshëm duhet të ketë qenë Ylli Tabaku, i cili duke qëndruar për disa muaj rresht në spital me (______________________), ka patur kontakte me një numër të madh të burgosurish dhe sidomos të paraburgosurish që kanë sjellë lajme të freskëta. Edhe Ramadan Muça, që nuk kishte as një muaj që ishte arrestuar, duhet ta ketë furnizuar me lajme të dëgjuara në Radio-Televizion. Edhe i riu i Tiranës, mund ta ketë furnizuar.

Përveç atyre që ju ka raportuar, ai u kujtua se Xhaviti ka mësuar po ato burime informacioni dhe shifra dhe të dhëna mbi zhvillimin e prodhimit industrial në Bashkimin Sovjetik dhe SH.B.A-ës, për zërat kryesor, deri në absurditet (P.sh. Bashkimi Sovjetik, ka prodhuar në vitin e kaluar 240 milion ton çelik, 190 milion televizor e tjerë, me një shtesë vjetore afërsisht 2-3 milion.

Po kështu edhe për çelikun. Njëkohësisht kishte mësuar se Jugosllavia, me ndihmën e shkencëtarëve gjermano-perëndimorë, po punon për të prodhuar bombën atomike (prandaj vajti ministri i Brendshëm i Bonit në Jugosllavi), për të diskutuar masat për sigurimin e këtyre shkencëtarëve e ndonjë kuriozitet tjetër.

Duke thënë se këto informata, Xheviti i ka biseduar me ata, Maqo Çomon, Bardhyl Belishovën dhe Bedri Spahiun, e me asnjë njeri tjetër, duke porositur këta, që të mos u’a thonin të tjerëve. Informatorët i kanë thënë Xhavitit: se këto lajme ata i kanë dëgjuar nga emisionet e huaja të Radiove të Perëndimit, duke përfshirë edhe lajmet mbi marrëdhëniet shqiptaro-kineze. Xhaviti ka qenë në spital nga data 4 prill, deri më 6 qershor 1973.

“Beni”

E dhëna ku bëhet fjalë për burimet nga i ka mësuar këto lajme i dënuari Xhavit Qesja, u nxuarr nga raporti i agjentit tonë “Beni”, dhe u shtyp në dy kopje, njëra u vendos në dosjen formulare të Xhavitit dhe tjetra i’u dërgua Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë.

Detyrë: Nuk i’u dha agjentit, pasi nuk ka mundësi takimi me ato persona që kanë furnizuar me lajme Xhavit Qesen.

Punëtori Operativ

Esat Lata

Dokumenti i firmosur nga Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, Flamur Sinojmeri, lidhur me intensifikimin e përgjimeve dhe survejimit të dënuarit Xhavit Qesja, duke e marrë atë në përpunim në 2/A

Aprovohet SEKRET

KRYETARI I Degës së P. të BRENDSHME Ekzemplar i vetëm

Flamur Sinojmeri Burrel, më 1.10.1973

V E N D I M

(MBI MARRJEN NË PËRPUNIM 2/A TË ELEMENTIT ANTI-PARTI XHAVIT QESJA)

Unë Punëtori Operativ Esat Lata, efektiv i Degës së P. të Brendshme Mat, nga studimi që u bëra materialeve në ngarkim të dënuarit anti-parti, Xhavit Qesja, i dënuar në Repartin 321 Burrel,

GJ E T A:

Se Xhavit Qesja, i dënuar për veprimtari armiqësore antiparti, me kombësi dhe shtetësi shqiptare. Xhaviti është dënuar për krimin e agjitacionit kundër partisë dhe duke qenë në kushte e vuajtjes së dënimit, është ri dënuar përsëri në vitin 1967 dhe dënuar përfundimisht me 17 vjet e 2 muaj, heqje lirie. Xhavi ka qenë duke vuajtur dënimin në Repartin 307 Tepelenë dhe në muajin gusht 1972, ka ardhur në repartin 321 në Burrel.

Gjatë qëndrimit të tij në këtë repart, ka mbajtur qëndrim të keq, ai është shprehur kundër vendimeve të partisë, duke thënë se: Marrëdhëniet shqiptaro-kineze, nuk janë ato që reflekton shtypi, se midis dy kurseve, ka divergjenca të mëdha, përsa i përket politikës së brendshme, Partia Komuniste Kineze, nuk e aprovon mënyrën e të konceptuarit dhe të vënies në jetë të nocionit të Diktaturës së Proletariatit në Shqipëri.

Po ashtu lidhur me masat e marrura nga Partia kundër ndikimeve të huaja, është shprehur se masat e marra, nga njëra anë të gëzojnë, sepse do të bëjnë që të rritet rezistenca në radhët e rinisë e inteligjencës dhe do të shpejtojë ditën kur ajo do të fillojë të reagojë në mënyrë aktive ndaj Diktaturës së Proletariatit.

Në drejtim të tij, ka dhënë agjenti “Beni” të dhëna këto që vërtetohen plotësisht edhe nga të dhënat e dalura nga T.O.-ve. Duke u nisur nga qëndrimi armiqësor i tij, i cili i është kundërvënë Partisë sonë, vijës së saj revolucionare dhe ndërtimit tonë socialist në Shqipëri, është kundër udhëheqjes së partisë, është përkrahës së politikës revizioniste dhe në çdo kohë, mundohet t’i shfaq pikëpamjet e tija armiqësore në element të tjerë, gjë e cila vërtetohet edhe nga të dhënat që kemi në ngarkim të tij.

Nga këto të dhëna, si dhe të tjera, del plotësisht e qartë se Xhaviti edhe në kushtet e vuajtjes së dënimit, është i vendosur në pikëpamjet e tij armiqësore, kundër partisë dhe Pushtetit Popullor.

Duke u nisur mbi bazën e materialeve të tija, të cilat shprehin aktivitetin e tij armiqësor,

V E N D O S A:

Që Xhavit Qesen, ta rimarr në përpunim aktiv 2/A, me tendencë armiqësore si element anti-parti dhe të punojë për goditjen e këtij elementi, i cili paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, duke hartuar dhe një plan masash./Memorie.al

Punëtori Operativ Shefi i Seksionit

Esat Lata Ramiz Hoxha

Dakord, Zv/Kryetari i Degës së P. të Brendshme Ismail Musta /Memorie

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!