Pensionet private, draftligji: Lehtësitë tatimore deri në nivelin e pagës minimale, dy forma fondesh

schedule08:17 - 24 Nëntor, 2021

schedule 08:17 - 24 Nëntor, 2021

Qeveria parashikon që të miratojë një ligj të ri për fondet e pensioneve private duke sjellë një seri ndryshimesh për një treg që ende mbetet anemik në vend.

Argumenti bazë se pse po bëhen këto ndryshime lidhet me nxitjen dhe zgjerimin e këtij tregu por edhe me qartësimin e disa aspekteve që lidhen me menaxhimin e fondeve. Por cilat janë disa nga ndryshimet që bien në sy? Së pari format në të cilat janë të organizuar fondet.

Sipas relacionit të projektligjit nënvizohet se parashikohen dy forma të fondeve të pensionit: “Fond pensioni me pjesëmarrje të hapur” (Open-ended Pension Fund) dhe “Fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur” (Closed-ended Pension Fund), ku ky i fundit është përkufizuar në përputhje me direktivën IORP II.

“Fondi me pjesëmarrje të mbyllur mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit të cilët krijojnë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur. Pjesëmarrja në këtë fond është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme. Krijimi i formave të ndryshme të fondeve të pensionit, të parashikuara në këtë direktivë, si për shembull fondeve të krijuara për punëmarrësit e një kompanie të caktuar (single employer fund) apo fondeve të krijuara për punëmarrësit e një industrie të caktuar (multi-employer funds) merr rëndësi të veçantë për zhvillimin e tregut privat të pensioneve në vend, pasi në këtë mënyrë kompanitë shqiptare ndërgjegjësohen dhe nxiten të rrisin pjesëmarrjen në këto skema, si një politikë motivimi për punonjësit e tyre” thuhet në relacion.

Kjo ndarje sipas argumentit të qeverisë si dhe detyrimi i shoqërisë administruese të mbajë të ndara asetet e secilit fond i jep zgjidhje dhe problematikave të hasura deri më tani me shoqëritë administruese ku asetet e fondeve profesionale dhe asetet e fondeve individuale mbahen të bashkuara në një fond.

Ndryshojnë lehtësitë tatimore dhe trajtimi fiskal i kontributeve të punëdhënësit

Draft ligji parashikon ndryshime edhe sa i takon lehtësive tatimore që aplikohen për fondet e pensionit ku përfiton kontribuuesi dhe punëdhënësi i tij duke rritur kufirin që nga 200 mijë lekë dhe 15 për qind e të ardhurave bruto të anëtarit që është aktualisht të bëhet deri në kufirin e pagës minimale mujore. (Aktualisht paga minimale mujore është 30 mijë lekë e barazuar në formë vjetore kufiri është 360 mijë lekë).

Si do të bëhet :

  1. Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi të pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij, për efekt tatimi.
  2. Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese.
  3. Kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër, në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk vlerësohen si të ardhura personale të anëtarit.
  4. Kufiri maksimal mujor, për lehtësitë tatimore, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni është deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi.
  5. Blerja e kuotave të një fondi pensioni është shërbim financiar dhe, si rrjedhojë, është e përjashtuar nga TVSH-ja.
  6. Shërbimet e ofruara nga depozitari për shoqërinë administruese dhe anëtarët vlerësohen si shërbim financiar dhe si rrjedhojë, janë të përjashtuara nga TVSH-ja.
  7. Tërheqja e parakohshme tatohet me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale.

Neni 159

Trajtimi fiskal i kontributeve të bëra nga punëdhënësi

Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një fond pensioni vlerësohen shpenzim operativ, deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës, të barabartë me pagën minimale vjetore të miratuar në shkallë vendi dhe kjo shumë vlerësohet shpenzim i njohur, për qëllime të tatimit mbi fitimin.

Neni 160

Trajtimi fiskal i përfitimeve të marra nga anëtari përfitimet e marra nga anëtari i fondit të pensionit, tatohen vetëm për kthimin nga investimi me normën në fuqi për tatimin mbi të ardhurat personale.

Si është aktualisht ligji

Neni 88

Lehtësitë tatimore të kontributeve të anëtarëve të fondit të pensionit

  1. Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij, për efekt tatimi.
  2. Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese.
  3. Kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër, në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk vlerësohen si të ardhura personale të anëtarit.
  4. Kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore, përveç rastit të parashikuar në pikën 5 të këtij neni, të bëra sipas përcaktimit të pikave 1 e 3 të këtij neni, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 000 lekë dhe 15 për qind të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
  5. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore, të përcaktuara në pikat 1 e 3 të këtij neni, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 250 000 lekë dhe 25 për qind të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
  6. Blerja e kuotave të një fondi pensioni është shërbim financiar dhe, si rrjedhojë, është e përjashtuar nga TVSH-ja.
  7. Shërbimet e ofruara nga depozitari për shoqërinë administruese dhe anëtarët vlerësohen si shërbim financiar dhe, si rrjedhojë, janë të përjashtuara nga TVSH-ja.
  8. Tatimi, që shoqëron tërheqjen e parakohshme, është sa norma e zbatueshme në çastin e tërheqjes.

Neni 89

Trajtimi fiskal i kontributeve të bëra nga punëdhënësi

Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni

profesional vlerësohen shpenzim operativ, deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës, të barabartë me 250 000 lekë dhe kjo shumë vlerësohet shpenzim i zbritshëm, për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit.

Neni 90

Trajtimi fiskal i përfitimeve të marra nga anëtari

Çdo pagesë e marrë nga anëtari i fondit të pensionit, sipas përcaktimeve të neneve 16 e 18 të këtij ligji, tatohet me tatimin mbi të ardhurat personale.

Risitë e projektligjit

Projektligji përafron dhe harmonizon kuadrin ligjor me Direktivën IORP II të Komisionit Evropian. Disa nga risitë kryesore të këtij projektligji janë:

  1. Mundësia e krijimit të një forme të re të fondeve të pensionit, fondi me pjesëmarrje të mbyllur, sipas përkufizimit të direktivës IORP II. Ky lloj fondi krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë apo bashkime sindikatash apo shoqatë në bazë të një marrëveshjeje të rënë dakord dhe u ofrohet vetëm të punësuarve pranë subjekteve të mësipërme;
  2. Garantimi i sigurisë së aseteve të fondit, përmes kërkesave më strikte lidhur me forcimin e funksionit të administrimit të rrezikut si dhe kërkesave për ruajtjen dhe veҫimin e aseteve të fondit;
  3. Diversifikimi i portofolit të fondit të pensionit nëpërmjet rishikimit të politikës së investimeve;
  4. Rritja e kërkesave për transparencë dhe sigurimin e informacionit për anëtarët e fondit;
  5. Nxitja e pjesëmarrjes në skemë nëpërmjet rishikimit të politikës tatimore me synim krijimin e lehtësirave fiskale për anëtarët dhe përfituesit e fondit;
  6. Nxitja e qëndrueshmërisë dhe mirëqeverisjes së shoqërive administruese të fondit të pensionit;
  7. Rregullimi i veprimtarisë ndërkufitare të shoqërive administruese, duke parashikuar themelimin e degës ose ushtrimin e veprimtarisë drejtëpërsëdrejti nga vendi i origjinës nëpërmjet njohjes nga ana e Autoritetit;
  8. Promovimi i fondeve të pensionit nëpërmjet rregullimit të veprimtarisë promocionale.

Projektligji, sipas relacionit, synon të diversifikojë dhe krijojë më shumë hapësira për zhvillimin e tregut të fondeve të pensionit privat, të rrisë standardet në mbrojtje të interesave të klientëve, si edhe të nxisë besimin e tyre për pjesëmarrje në këto fonde. Në këtë mënyrë, anëtarit të fondit, me përmbushjen e kritereve të daljes në pension, i mundësohet të marrë një pension të veçantë, krahas atij të siguruar nëpërmjet skemës publike të pensioneve./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!