Roy Keane ishte shpirti i Manchester United të Alex Ferguson. Irlandezi i çmendur jepte më shumë se maksimumin në fushën e blertë dhe për kundërshtarët ishte gjithmonë shumë e vështirë të përballeshin me të. Ai nuk kursehej kurrë dhe dha gjithçka në 12 vitet që qëndroi në “Old Trafford”.
Fitoret dhe sukseset ishin të mëdha, dhe Keane ngriti shumë trofe si kapiten i United. Sot punon si ndihmës i Sabri Lamouchi te Nottingham Forest në Championship. Tipat si Roy nuk pendohen kurrë, por 48-vjeçari e ka një peng. Real Madrid i ofroi një kontratë, por ai refuzoi.
Keane zbulon prapaskenën në autobiografinë e tij të dytë dhe pranon se ndihet keq që nuk u transferua në Madrid. “Ishte dimri i vitit 2005 dhe Reali më ofroi një kontratë 1.5-vjeçare. Butragueno më telefonoi dhe më tha se do të ishin të lumtur të më kishin në skuadër. Do të ishte një sfidë tërheqëse, por unë refuzova.
Do të kishte qenë një eksperiencë fantastike për fëmijet e mi, mund të kisha luajtur edhe dy vitë të tjera dhe do të mësoja gjëra të reja. Gjithsesi, si gjithmonë, mendoja vetëm për gjërat që mund të kishin shkuar keq. Nuk do merrja sërish të njëjtin vendim sot”, thekson Keane. /abcnews.al