OFL i ka dërguar formularin për deklarimin e pasurisë pesë personave të dënuar për krime të ndryshme në Gjirokastër, siç janë “vjedhje me armë”, “rrëmbim personi”, apo “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.
Siç mëson abcnews.al, ata janë Krenar Skënduli, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Gentian Sinomema, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim; Adriatik Kanushi, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim; Endrik Lluka,i dënuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” dhe “Armëmbajtja pa leje”; dhe Ervis Canka “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Të pestë ata duhet të deklarojnë pasurinë brenda 48 orëve, në të kundërt sipas ligjit, OFL do të fillojë procedurat e sekuestrimit të saj.
Njoftimi i plotë
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
– K. S., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
– G. S., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim;
– A. K., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim;
– E. Ll., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
– E. C., banues në Përmet, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.