“Pengjet të lirohen para se të marr detyrën”, Trump paralajmëron Hamasin: Do të ketë pasoja të rënda

schedule21:46 - 2 Dhjetor, 2024

schedule 21:46 - 2 Dhjetor, 2024

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar Hamasin se do të paguajë pasoja të rënda, nëse pengjet izraelite nuk lirohen para se ai të marrë detyrën në 20 janar.

Në një postim në rrjetet sociale Trump paralajmëroi se do të goditen me forcë kushdo që janë përgjegjës për pengjet.

“Nëse pengjet nuk lirohen përpara 20 janarit 2025, datë kur unë marr me krenari detyrën si President i Shteteve të Bashkuara, Lindja e Mesme dhe përgjegjësit që i kanë kryer këto mizori kundër njerëzimit, do të përballen me një ferr” tha ai.

Paralajmërimi i Trump vjen pas takimit me djalin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Yair, dhe gruan e kryeministrit Sara, në resortin e tij në Mar-a-Lago në Florida.

Trump kishte lënë të kuptohej më herët, përmes deklaratave të përfaqësuesve të tij, se ai dëshiron që një marrëveshje armëpushimi për pengjet të përfundojë deri në momentin që ai të marrë detyrën, por deklarata e fundit është nga më të ashprat që ai ka bërë.

Gjatë sulmit të tyre të vitit 2023 ndaj Izraelit, militantët e udhëhequr nga Hamasi morën peng më shumë se 250 persona, sipas të dhënave izraelite, duke përfshirë shtetas të dyfishtë izraelito-amerikanë. Rreth gjysma e 101 pengjeve të huaj dhe izraelitë të mbajtur ende në Gaza besohet se janë gjallë.

Hamasi ka bërë thirrje për përfundimin e luftës dhe tërheqjen totale të Izraelit nga Gaza, si pjesë e çdo marrëveshjeje për lirimin e pengjeve të mbetura. Nga ana tjetër kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se lufta do të vazhdojë derisa Hamasi të çrrënjoset dhe të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin.

Të hënën, Hamasi tha se 33 pengje në Gaza ishin vrarë gjatë luftës pothuajse 14-mujore midis grupit militant palestinez dhe Izraelit në enklavë, pa dhënë kombësitë e tyre.