Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka deklaruar se Federata Ruse po keqpërdor faktin se qytetarët po protestojnë në mënyrë legjitime kundër propozimit francez.
Pendarovski këtë koment e bëri gjatë një interviste në Tv21, ku mes shumë temave, foli edhe për situatën me protestat e opozitës maqedonase.
Sipas tij, situata e sigurisë në Maqedoni sa vjen e po përkeqësohet. “Ajo që di dhe marr nga autoritetet e sigurisë është se ka elementë që na vijnë nga rajoni! Maqedonia aktualisht është nën sulme hibride të intensifikuara të ngjashme me nivelin që kishim në vitin 2018”, tha Pendarovski.
Ai shton se kjo nuk ka të bëjë fare me protestuesit. “Palët e treta, konkretisht Federata Ruse, po keqpërdorin faktin se qytetarët po protestojnë në mënyrë legjitime kundër propozimit francez”, theksoi Pendarovsi.
Protestat e opozitës prej disa netësh radhazi kanë shkaktuar trazira në kryeqytetin e Maqedonisë, duke shkaktuar zjarrvënie, lëndime të punonjësve policorë, dëmtim të pronave publike dhe private si dhe shumë veprime të tjera joetike.