Pendarovski: Nuk kemi alternativë tjetër përveç BE-së, për identitetin nuk negociojmë

schedule10:46 - 7 Qershor, 2021

schedule 10:46 - 7 Qershor, 2021

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski së fundmi ka deklaruar se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë dhe as nuk mund të jenë subjekt i negociatave.

Në një intervistë të dhënë për mediat serbe, Pendarovski ka theksuar se procesi i zhvillimit të identitetit dhe gjuhës sonë nuk ndryshon nga zhvillimi i gjuhëve dhe kulturave të kombeve fqinje.

“Maqedonia e Veriut, në krahasim me fqinjët e saj, e konkretizoi shtetësinë e saj më së voni përmes një procesi kompleks të luftës për çlirimin kombëtar dhe emancipimin dhe ndoshta ai faktor ka një ndikim të madh në disa tendenca negative në një pjesë të opinionit dhe politikanëve në vendet fqinje. Sidoqoftë, shtetësia jonë dhe gjuha jonë standarde janë një proces i plotë dhe ai fakt duhet të pranohet nga të gjithë, si një hap kryesor drejt ndërtimit të bashkëpunimit, duke pasur parasysh që të gjitha vendet fqinje kanë të njëjtin orientim strategjik në Bashkimin Evropian”, ka thënë Pendarovski.

Lidhur me pengesat në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve në rajon, Pendarovski tha se Republike e Maqedonisë së Veriut bëri kompromise të vështira në mënyrë që të bëhet një anëtare e plotë e NATO-s dhe në të ardhmen një anëtare e BE-së, përcjell AIM nga Beogradi.

Anëtarësimi në BE është vendimtar për zhvillimin e përgjithshëm të të gjitha vendeve dhe ne nuk kemi asnjë alternativë reale për integrimin evropian. Sidoqoftë, integrimi i rajonit në BE është gjithashtu një interes strategjik për vetë Bashkimin Evropian, si dhe një çështje gjeopolitike, në kontekstin e përpjekjeve për të forcuar rolin e BE-së si një aktore në rendin ndërkombëtar. BE-ja ka bërë një premtim të qartë për vendet në rajon se ata kanë një perspektivë evropiane që nga Samiti i Selanikut 2003. Bërja e përpjekjeve për të realizuar këtë premtim është gjithashtu një çështje e besueshmërisë së vetë Unionit. Ne shpesh dëgjojmë për lodhjen nga zgjerimi, e cila nga aspekti i politikës ditore është e kuptueshme, por strategjikisht, projekti evropian nuk do të përfundojë pa integrimin e rajonit tonë në BE”, është shprehur ndër të tjera ai.

Gjithashtu ai ka vlerësuar bisedimet me presidentin bullgar Rumen Radev në Shkup dhe Romë si një sinjal pozitiv për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe uljen e tensionit që është ndezur në mënyra të ndryshme në periudhën e kaluar.

“Unë besoj se është në interes të të dy vendeve, por edhe të vetë BE-së, të gjendet një mënyrë për të dalë nga situata sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në atë kontekst ne vlerësojmë përpjekjet e Presidencës Portugeze të BE-së. Ne e konsiderojmë propozimin e tyre si një bazë solide për zhvillimin e mëtejshëm të bisedimeve. Të dy vendet kanë aftësinë për të zgjidhur çështjet përmes dialogut. Në fakt, ne e vërtetuam këtë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë në vitin 2017, e cila është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe është baza për ndërtimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy vendeve dhe afrimin e të dy popujve”, ka thënë Pendarovski.

Ai shton se pozicioni i shqiptarëve etnikë, qytetarë të Maqedonisë së Veriut, nuk është pjesë e një ndonjë çështje rajonale shqiptare, por është pjesë e rendit tonë të brendshëm kushtetues dhe politik.e.su. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!