Pendarovski: Mbetet shqetësues fakti se në Maqedoni ka shumë retorikë nacionaliste

schedule21:06 - 29 Korrik, 2022

schedule 21:06 - 29 Korrik, 2022

Në një intervistë të publikuar edhe në faqen e tij zyrtare, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka folur ndër të tjera për përleshjet dhe tensionet ndëretnike, retorikën e intensifikuar nacionaliste, ndarjet sociale, hapjen e kanaleve dhe iniciativat e dështuara për pajtim kombëtar dhe afrimin.

Në intervistën për “Focus”, Pendarovski shpreh shqetësimin për retorikën e intensifikuar nacionaliste.

“Përplasjet dhe tensionet ndëretnike lindin kur aktorët politikë e intensifikojnë retorikën nacionaliste dhe kjo është gjëja që më shqetëson më shumë. Jo se Maqedonia do të shpërbëhet nëse mbetemi jashtë BE-së, as nuk do të ketë destabilizime serioze për këtë fakt, por nuk është mirë të ketë faktorë politikë që manipulojnë ndjenjat kombëtare të qytetarëve”, deklaroi Pendarovski.

Ai thekson se retorika nxitëse ndaj të tjerëve mund të shkaktojë incidente.

“Mbaj mend fillimin e viteve të 90-ta, kur as OBRM-PDUKM-ja e atëhershme nuk përdorte një retorikë të tillë nxitëse ndaj të tjerëve. Kemi një retorikë të paprecedentë ndaj shqiptarëve, pastaj kemi retorikë antiperëndimore, antiamerikane, antigreke, antibullgare në një nivel të paprecedentë dhe kam frikë se disa breza të rinj të udhëhequr nga retorika e politikanëve mund të duan të provokojnë incidente”, u shpreh presidenti Pendarovski.

Pendarovski paralajmëron se tentativat për të fituar pikë politike me retorikë nxitëse janë të rrezikshme.

“Në vitin 2001, kur kishim luftë, s’kishte asnjëherë një retorikë të tillë. Mund të përpiqesh të fitosh pikë me një retorikë të tillë, por është e rrezikshme. Për herë të parë në 30 vjet që jemi shtet i pavarur, kemi një deputet aktual që flet për pushkatime dhe prerje koke. Nuk mund të jetë një deklaratë legjitime politike. Po njerëzit që dolën për të protestuar në rrugë mendojnë se kjo është vërtet një zgjidhje për disa probleme?”, u shpreh Pendarovski.

Pendarovski thekson se ndarjet ndërmaqedonase janë të paprecedentë dhe janë destabilizuesi më i madh potencial i vendit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!