Pendarovski: KFOR-i ka kapacitet të përballet me situatën në veri të Kosovës

schedule12:22 - 23 Dhjetor, 2022

schedule 12:22 - 23 Dhjetor, 2022

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka thënë se bazuar në vlerësimet e NATO-s, trupat e KFOR-it mund ta mbajnë situatën nën kontroll në veri të Kosovës edhe në rast të përshkallëzimit të gjendjes atje.

Në një intervistë për televizionin maqedonas Kanal5, Pendarovski tha se situata në veri nuk është për t’u nënvlerësuar, por beson në aftësitë e Aleancës për të menaxhuar situatën.

“Situata nuk është për t’u nënvlerësuar, por NATO-ja ka fuqi të madhe atje. Nëse NATO-ja me forcat e saj ushtarake mund të qëndrojë pas Ukrainës, një vend me 45 milionë banorë, i sulmuar nga një vend me 145 milionë banorë, pa e nënvlerësuar situatën, nuk mendoj se do të ketë ndonjë problem nëse ka ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm të situatën në veri të Kosovës”, ka deklaruar Pendarovski.

Për shkak të gjendjes së krijuar në këtë pjesë të Kosovës, presidenti maqedonas tha se çdo dhjetë ditë ka bisedime me komandantin e KFOR-it për shkak se në misionin ushtarak të NATO-s marrin pjesë edhe 65 ushtarë maqedonas.

Ai tha se nuk duhet të ketë panik shtesë në opinion lidhur me situatën në Kosovë, sikur që nuk ka nevojë të mblidhet Këshilli i Sigurimit Kombëtare i Maqedonisë së Veriut për këtë çështje, pasi sipas Pendarovskit, “NATO-ja e ka situatën nën kontroll deri tani dhe në të ardhmen”.

Disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës më 10 dhjetor, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!