Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski tha të hënën se nuk ka dilemë që parlamenti në Maqedoni, pavarësisht nga zgjedhjet, duhet të ratifikojë protokollin e aderimit në NATO. Ai tha se parlamenti ekziston dhe është aktiv derisa të zgjidhet Parlamenti i ardhshëm.
Presidenti Stevo Pendarovski konsideron se data për zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk duhet të lidhet me ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO. Presidenti maqedonas theksoi se Kuvendi mund të vazhdojë punën.
“Nuk varet nga unë nëse zgjedhjet do të jenë më 12 prill ose jo. Atë që dua të komentoj lidhur me mundësinë për ndonjë anulim, lidhet me ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin në NATO edhe në Parlamentin tonë. Lidhur me këtë nuk duhet të ketë asnjë dilemë. Parlamenti ekziston dhe është aktiv derisa të zgjidhet Parlamenti i ardhshëm.”
Presidenti Pendarovski tha gjithashtu se diplomacia është e fokusuar tek eurointegrimet dhe fokusi është Franca.
“Mendoj se në periudhën e ardhshme, javën e ardhshme do të duhet të marrim sinjal më të fortë në atë drejtim, nëse së shpejti do të mund të ndryshohet rezultati jashtëzakonisht i pafavorshëm i Samitit të fundit para së gjithash, Franca”.
Pendarovski i bëri deklaratat në Tetovë ku ka pasur takime me qytetarët në kuadër të projektit “Ballë për ballë me presidentin”. /abcnews.al

