Pence-Harris, zbardhen citimet më të spikatura nga debati nënpresidencial

schedule19:07 - 8 Tetor, 2020

schedule 19:07 - 8 Tetor, 2020

Nënpresidenti republikan Mike Pence dhe kandidatja demokrate për nënpresidente, Senatorja nga Kalifornia Kamala Harris u përballën të mërkurën në mbrëmje në debatin e tyre në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit. Në vazhdim, disa nga citimet më të spikatura të debatit të zhvilluar në qytetin Solt Lejk të shtetit Juta, të drejtuar nga gazetarja e gazetës USA Today, Susan Page.

Pandemia e koronavirusit

Harris: “Më 28 janar, nënpresidenti dhe presidenti u informuan mbi natyrën e kësaj pandemie. Ata u informuan se është vdekjeprurëse. Mësuan se transmetohet nga ajri, se mund të prekë të rinjtë dhe se do të përhapej ngaqë shpërndahet në rrugë ajrore. Ata e dinin se po ndodhte dhe nuk ju informuan ju, popullin”.

I pyetur lidhur me numrin e viktimave nga COVID-19, Nënpresidenti Pence u përgjigj: “Dua që populli amerikan ta dijë se që nga dita e parë, Presidenti Trump e ka vënë në plan të parë shëndetin e Amerikës”.

Pence: “Është fakt se kur shikon planin e Bidenit (për përgjgjen ndaj pandemisë) ngjan shumë me ato që ka bërë Presidenti dhe unë së bashku me grupin tonë të punës hap pas hapi… ngjan në një farë mase si plagjaturë“.

Harris: “Populli amerikan është detyruar të sakrifikojë tepër shumë si rezultat i paaftësisë së administratës së tij”.

Vaksina

Harris për vaksinën: “Nëse zyrtarë të shëndetit publik, nëse Dr. Fauci, nëse mjekët na thonë të bëjmë vaksinën, unë do të jem e para në radhë për të bërë vaksinën. Por nëse Donald Trumpi na thotë të bëjmë vaksinën, nuk do ta bëj”.

Pence: “Fakti që vazhdon të minosh besimin publik tek vaksina, nëse kjo vaksinë bëhet e mundur gjatë administratës Trump, është e pamoralshme. Mjaft më me lojëra politike në kurriz të jetës së njerëzve”.

Rimëkëmbja ekonomike

Harris: “Lidhur me temën e ekonomisë, mendoj se nuk mund të ketë një dallim më thelbësor mes Donald Trumpit dhe Joe Bidenit. Joe Biden beson se mbarëvajtja dhe energjia e ekonomisë amerikane matet me shëndetin dhe forcën e punëtorit amerikan dhe familjes amerikane. Nga ana tjetër kemi Donald Trumpin, i cili e mat forcën e ekonomisë me mirëqënien e të pasurve”.

Pence: “Shtim taksash, rregulloresh, ndalimi i nxjerrjes së naftës me teknikat fracking, ndalimi i hidrokarbureve dhe qymurgurit, duke dërrmuar sektorin energjetik amerikan dhe duke iu dorëzuar ekonomikisht Kinës – këto janë receta e një dobësimi ekonomik. Unë dhe Presidenti Trump do të vazhdojmë të ruajmë rritjen ekonomike të Amerikës. Rimëkëmbja (e shpejtë) në formë V-je po vazhdon në këto momente dhe do të vazhdojë në katër vitet e ardhshme të Presidentit Donald Trump”.

Taksat

Pence: “Që në ditën e parë, Joe Biden do të rrisë taksat”.

Harris: “Joe Biden është shprehur shumë qartë: ai nuk do të rrisë taksat për askënd që bën më pak se 400,000 dollarë në vit”.

Politika e Jashtme

Harris: “Duhet të dish kush janë kundërshtarët dhe t’i mbash nën kontroll. Por në rastin e Donald Trumpit kemi parë se ai ka tradhtuar miqtë dhe ka përqafuar diktatorë në mbarë botën. Të marrim si shembull Rusinë“.

NAFTA (Marrëveshja për Tregtinë e Lirë në Amerikën e Veriut)

Pence: “Të gjithë e dinë se marrëveshja NAFTA mbylli mijëra fabrika amerikane. Pamë se si vende pune në sektorin e automjeteve u transferuan në vende të Amerikës Latine. Presidenti Trump luftoi për të ri-negociuar një marrëveshje zëvendësuese mes Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë që tani ka hyrë në fuqi. Ishte një fitore e madhe për fermerët amerikanë, sidomos për blegtorinë në pjesën qendrore të vendit, por ju, senatore, thatë se nuk ka bërë sa duhet për të luftuar ndryshimet klimatike”.

Ndryshimet klimatike

Pence: “Për sa i përket temës së ndryshimeve klimatike, klima po ndryshon. Por duhet të pyesim, çfarë e shkakton? Dhe çfarë duhet të bëjmë? Presidenti Trump e ka bërë të qartë se do të vazhdojmë të dëgjojmë shkencën”.

Harris: “Kemi vërejtur një tendencë në sjelljen e kësaj administrate: ata nuk e besojnë shkencën”.

Kina

Harris: “E humbët atë betejë tregtare, e humbët. Ajo që ndodhi në realitet, shkaktuar nga e ashtu-quajtura lufta tregtare me Kinën, është humbja e 300,000 mijë vendeve të punës në sektorin industrial amerikan. Fermerët janë detyruar të shpallin falimentimin si rezultat i kësaj lufte. Po përjetojmë një recession në sektorin e prodhimit industrial si rezultat i saj”.

Pence: “Prit pak, e humbëm luftën tregtare me Kinën? Joe Biden kurrë nuk bëri luftë. Ai i ka bërë tifozllëk Kinës komuniste për dekada me radhë“.

Ushtria amerikane

Harris: “Po flasim për një tendencë në qëndrimin e Donald Trumpit: ai u referohet atyre që shërbejnë në ushtri si dështakë e të humbur. Donald Trumpi shkoi në Varrezat Kombëtare të Uashingtonit dhe qëndroi mbi varret e heronjve të rënë në luftë dhe tha “Çfarë donin të përfitonin që e bënë?”

Pence: “Presidenti Donald Trump jo vetëm që i respekton, por i admiron ata që kanë shërbyer në radhët e forcave të armatosura dhe çdo aludim ndryshe është absurd”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!