Penallti e pritur, gola dhe asiste, shkëlqejnë legjionarët shqiptarë

schedule12:30 - 9 Maj, 2022

schedule 12:30 - 9 Maj, 2022

Kur kanë mbetur vetëm pak javë nga përfundimi i kampionateve në Europë, legjionarët kuqezi vijojnë të japin më të mirën e tyre, duke qenë kështu gati edhe për sfidat e para me Kombëtaren në Ligën e Kombeve, që do të nisë në muajin qershor.

Kjo fundjavë që sapo lamë pas ka folur shqip në tre kampionate kryesore europiane, atë italian, spanjoll e turk, ku katër futbollistë shqiptarë kanë tundur rrjetat me skuadrat përkatëse.

Ishte Kristjan Asllani, mesfushori i talentuar i Kombëtares që luan në radhët e Empolit, ai i cili hapi serinë e golave që mbajnë vulën shqiptare. Djaloshi kuqezi realizoi gol në sfidën ndaj Interit, ku pas një topi të gjatë nga mesfusha, arrin ta kontrollojë mjaft mirë në zonë, duke e dërguar në rrjetë. Ky ishte goli i parë për Kristjan Asllanin, i cili la gjurmë duke e shënuar atë në një stadium të madh dhe historik si ai i Giussepe Meazza-s.

Këtë fundjavë e bëri “sefte” edhe Myrto Uzuni në kampionatin spanjoll. Sulmuesi shqiptar, i cili kaloi tek ekipi i Granadës në muajin janar u zbllokua për herë të parë ditën e shtunë në sfidën ndaj Mallorcas. Uzuni e nisi ndeshjen nga stoli, duke u futur në lojë në minutën e 62-të, ndërsa 16 minuta më vonë arriti të realizojë golin e tij të parë me fanellën e Granadës dhe në kampionatin spanjoll.

Përveç Asllanit, një tjetër lojtar kuqezi arriti të gjejë rrugën e rrjetës për herë të parë në këtë sezon me skuadrën e tij në kampionatin italian. Bëhet fjalë për Berat Gjimshitin, mbrojtësin shqiptar i cili aktivizohet me Atalantën në Itali. Në sfidën e djeshme ndaj Spezia-s, Gjimshiti përfitoi nga një asist i Demiral, teksa pas një gjuajtje me kokë, topi përfundon në rrjetë. Një ndeshje mjaft e mirë kjo për futbollistin shqiptar, i cili u vlerësua me notën 7.3 nga faqja e specializuar për statistika “SofaScore”.

Nuk përfundon me kaq fundjava kuqezi, teksa edhe Bekim Balaj ka shënuar dy gola shumë me vlerë që i dhanë tre pikëshin skuadrës së tij të Bolusporit, përballë Samsunspor në Turqi.  Në golin e parë ishte Odise Roshi ai i cili ndihmoi shokun e tij të skuadrës të realizonte, pas një krosi nga e majta, që u shfrytëzua mjaft mirë nga sulmuesi shqiptar.

Edhe Enis Çokaj në Kroaci ka qenë protagonist me 2 asiste në barazimin 3-3 që skuadra e tij, Lokomotiva e Zagrebit arriti në trasfertë ndaj Goricës.

Edhe gardiani kuqezi i Kombëtares, Etrit Berisha ka marrë duartrokitjet e tifozëve të tij, teksa arriti të bllokojë një penallti të Lorenzo Insigne-s në minutën e 61-të.

Një fundjavë mjaft pozitive kjo për legjionarët, teksa paraqitje të mira kanë dhuruar edhe futbollistë të tjerë të Kombëtares. /fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!