Max Allegri i dha fund aventurës 5-vjeçare me Juventusin në fund të sezonit të kaluar. Trajneri nga Liverno u shpreh se do të qëndrojë një vit pushim, por ai mund të rikthehet në drejtimin e ndonjë ekipi të madh.
Emri i tij është përfolur si një kandidat për pankinat e Real Madrid dhe Barcelonës. Zidane dhe Valverde po hasin vështirësi në këtë fillim sezoni dhe 52-vjeçari po ndjek me qetësi situatën.
Një thirrje nga Spanja nuk mund ta refuzonte kurrë, por edhe Premier League e tundon. Mediat italiane e lidhin me një kalim te Manchester United. Ole Gunnar Solskjaer nuk po arrin t’i bindë drejtuesit dhe tifozët, ndërsa “djajtë e kuq” kanë bërë nisjen më të keqe të sezonit që nga viti 1992.
Allegri ka nisur një kurs anglishte për të qenë i përgatitur për çdo rast. Laurent Blanc është një tjetër emër që pëlqehet në ishull. Francezi ka luajtur për dy sezone me United dhe e njeh mirë ambientin. Blanc ka drejtuar për herë të fundit ekipin e PSG dhe qëndron pushim prej vitit 2016. /abcnews.al