Peleshi: Zjarri në Shpirag drejt izolimit të plotë, helikopteri Cougar ndërhyri nga ajri

schedule19:03 - 25 Gusht, 2023

schedule 19:03 - 25 Gusht, 2023

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se situata në malin e Shpiragut është nën kontroll dhe drejt izolimit. Në një postim në rrjetet sociale, Peleshi thekson se në mbështetje të forcave në terren u angazhuan edhe 50 trupa të tjerë nga reparti i Poshnjes si edhe helikopteri Cougar.

“Situata është nën kontroll dhe zjarri po shkon drejt izolimit të plotë në malin e Shpiragut, në bashkinë e Beratit. Në mbështetje të forcave në terren u angazhuan edhe 50 trupa të tjerë nga reparti i Poshnjes, duke e çuar në 100 numrin e efektivëve të Forcave të Armatosura që po punojnë me intensitet deri në shuarjen përfundimtare të tij. Për shkak të terrenit të vështirë që nuk mundëson ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse, helikopteri Cougar ka ardhur në ndihmë që në orët e para të mëngjesit, duke vijuar gjatë gjithë ditës ndërhyrjen nga ajri.”, thotë Peleshi.

Më herët, në një intervistë për ABC News, kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo theksoi se nuk kishte asnjë vatër aktive pranë banesave dhe se nuk ka dëme të konsiderueshme.

“Fatmirësisht deri tani nuk është se kemi dëme të konsiderueshme. Në përgjithësi zjarri ka qenë në pjesë të zhveshura të kodrave dhe kjo ka bërë që dëmet të jenë më të limituara. Nuk ka asnjë vatër zjarri pranë banesave.”, theksoi Demo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!