Peleshi në Ministerialin e Mbrojtjes së Europës Jug-Lindore:  Shqipëria pro “Politikës së dyerve të hapura” për nismat rajonale

schedule09:29 - 5 Nëntor, 2021

schedule 09:29 - 5 Nëntor, 2021

Shqipëria është e vendosur të ndjekë parimin e “Politikës së dyerve të hapura” për të gjitha nismat rajonale, si një mundësi për rritjen e ndërveprimit mes të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ky qëndrim u konfirmua nga Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në Ministerialin e Mbrojtjes së Europës Jug-Lindore që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Ministri Peleshi theksoi mbështetjen e Shqipërisë për iniciativën SEDM dhe për Brigadën e Europës Jug-Lindore (SEEBRIG), komandën e të cilës pritet që në vitin 2023 ta marrë Shqipëria. Ministri i Mbrojtjes u shpreh se “iniciativat rajonale janë një mundësi e shkëlqyer për të rritur ndërveprimin midis shteteve të rajonit tonë dhe ofrojnë mundësinë e trajtimit në tavolina të përbashkëta të sfidave me të cilat ne përballemi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes”. Gjatë ministerialit, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi theksoi qëndrimin e vendosur pro parimit të “Politikës së Dyerve të Hapura” për të gjithë nismat rajonale dhe jo vetëm SEDM, në të cilat duhet të bëjnë pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor siç natyrshëm është edhe Kosova.

Ky takim, që mbledh ministrat e Mbrojtjes zhvillohet një herë në vit dhe është një mundësi shumë e mirë për të analizuar arritjet, vlerësuar planet e përbashkëta dhe projektet për të ardhmen të iniciativës politiko-ushtarake më të vjetër të rajonit tonë, siç është SEDM.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!