Pegasus: Një histori spiunazhi që është kthyer në makth

schedule09:42 - 2 Gusht, 2021

schedule 09:42 - 2 Gusht, 2021

Nga Ilona Kocsi, Balkan Insight

Pegasus dhe spiunimi i gazetarëve, civilëve dhe politikanëve mund të jetë abuzimi më i rëndë i pushtetit në Hungari që nga tranzicioni demokratik tre dekada më parë.

“Tronditëse”, “e pabesueshme”, “skandaloze” ishin disa nga reagimet e para në Hungari ndaj raporteve të një konsorciumi investigativ ndërkombëtar të gazetarëve nga 17 vende që u publikuan me 18 korrik.

Shoqata Kombëtare e Gazetarëve Hungarezë (MÚOSZ) kërkoi një hetim të menjëhershëm dhe një shpjegim nga qeveria: si është e mundur që në një vend ku Ligji Themelor garanton lirinë e fjalës dhe shtypit, gazetarët që bëjnë punën e tyre mund të përgjohen nga programet spiunë izraelitë?

Sipas një artikulli të botuar në Telex nga anëtari hungarez i projektit ndërkombëtar të gazetarisë, Direkt36, mund të ketë mbi 300 objektiva në Hungari të Pegasus – një program i zhvilluar nga kompania izraelite e sigurisë kibernetike NSO Group – telefonat inteligjentë të të cilëve u përgjuan.

Ende nuk dihet se kush e ka përdorur këtë armë kibernetike kundër civilëve hungarezë, dhe nuk është vërtetuar se kush e ka blerë këtë softuer. Sidoqoftë, kompania izraelite pretendon se softueri i saj mund t’u shitet qeverive vetëm me miratimin  e Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit dhe duhet të përdoret për qëllime të caktuara kundër terrorizmit dhe zbatimit të ligjit.

Prandaj, supozohet se blerësi duhet të ketë qenë një organ qeveritar. Konsorciumi ndërkombëtar i hetimeve zbuloi se programi spiun u përdor kundër gazetarëve, aktivistëve të të drejtave civile, politikanëve të opozitës, avokatëve dhe biznesmenëve në të paktën 10 vende, të cilat përveç Hungarisë përfshijnë Azerbajxhanin, Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Indinë, Kazakistanin, Marokun, Meksikën, Ruandën dhe Arabinë Saudite .

“Forbidden Stories”, një organizatë jofitimprurëse e gazetarisë me qendër në Paris dhe Amnesty International fillimisht kishin qasje në rrjedhjen e të dhënave prej më shumë se 50,000 numrave të telefonit që nga viti 2016, raporton abcnews.al

Pasi u zbulua diçka e tillë, çdo qytetar i zakonshëm do të kishte menduar se do të merreshin vendime të menjëhershme. Në fakt ata kanë pritur që kryeministri të mohonte  incidentin dhe të shprehte keqardhjen për viktimat e spiunazhit, dhe të zotohej se do të përdorte çdo mjet ligjor të mundshëm për të hetuar rastin.

Por asgjë nga kjo nuk ndodhi. Kryeministri ka heshtur, ndërsa ministrat dhe zyrtarët qeveritarë nuk dhanë informacione të mjaftueshme.

“Shërbimet hungareze të sigurisë kombëtare nuk kanë kryer ndonjë mbikëqyrje të paligjshme që nga 29 maj 2010,” tha Ministri i Brendshëm Sandor Pinter. “Unë nuk kam asnjë informacion mbi këtë mbledhje të supozuar të të dhënave,” tha Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Peter Szijjarto, i cili më pas i kërkoi shërbimit të inteligjencës civile të shqyrtojë nëse raportet ishin produkt i një “veprimi të koordinuar komunikimi” nga disa shërbime sekrete anonime.

“Le të mos jemi qesharakë, çdo vend ka nevojë për mjete të tilla,” tha Ministri i Drejtësisë Judit Varga.

Presidenti i Autoritetit Kombëtar për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Lirinë e Informacionit, Attila Peterfalvi, është me pushime deri më 3 gusht dhe do të vendosë vetëm nëse do të hapë apo jo një hetim pasi të kthehet në detyrë.

Shërbimi i prokurorisë po heton nëse një hetim duhet të fillohet në këtë rast (një hetim ka filluar tashmë në Francë, megjithëse raportet sugjerojnë se inteligjenca marokene qëndronte pas spiunimit të anëtarëve të qeverisë franceze.

Grupi parlamentar i Fidesz tha, “Lajmet e publikuara në mediat e majta janë të pabaza dhe synojnë vetëm të krijojnë trazira politike, prandaj nuk ka nevojë të mblidhet një seancë e Komitetit të Sigurisë Kombëtare.”

Ministri i Çështjeve të  Brendshme Katalin Novak  tha: “qeveria nuk merret me informacionin e shtypit”. Ne e konsiderojmë të papranueshme këtë qasje të publikut dhe institucioneve themelore të demokracisë.

Është e pabesueshme se sa e pandjeshme është qeveria hungareze dhe sa e paaftë për të kuptuar se skandali që po zhvillohet tani është jashtëzakonisht tronditës.  Ndoshta kjo është arsyeja pse ata po e banalizojnë atë, sepse ata e dinë mirë se një pjesë e madhe e mediave hungareze tashmë operojnë nën kontrollin e partisë qeverisëse, të ushqyer nga reklamat qeveritare.

Një provë e demokracisë

Por shqetësimi më i madh janë gazetarët. Interesat e tyre duhet të mbrohen sepse kjo histori është një shkelje e sferës së tyre private dhe profesionale.  Nuk ka demokraci pa shtypin e lirë.

Nëse edhe qytetarët po spiunohen gjatë punës së tyre, atëherë çdokush, në çdo kohë mund të vihet në shënjestër nëse ata në pushtet  e miratojnë diçka të tillë. Prandaj, një hetim mbi skandalin  është një provë e demokracisë në Hungari, raporton abcnews.al

Është bërë e qartë se mjetet ligjore në dispozicion nuk janë edhe aq efikase sa për të mbrojtur njerëzit. Hetimi mund të zbulojë nëse është qeveria ajo që qëndron prapa këtij skandali spiunazhi. Apo ndoshta nuk ishte vetë qeveria, por një organ tepër i zellshëm i lidhur me qeverinë.

Një rezultat i tillë do të ishte një turp për një vend demokratik. Pra, le ta konsiderojmë këtë skenarin më të keq. Një ëndërr e keqe. Le të besojmë se kjo histori do të ketë një fund të lumtur dhe të gjithë personat e përfshirë do të ndëshkohen.

Sepse nëse vërtetohet skenari më i keq, atëherë historia e spiunazhit  mund të kthehet lehtësisht në një makth, i cili mund t’i japë një goditje fatale demokracisë.

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al