Pedagogët takohen me ministren: Diskutim jo rezultativ

schedule11:28 - 1 Shkurt, 2019

schedule 11:28 - 1 Shkurt, 2019

Një grup pedagogësh nga Universiteti i Tiranës zhvilluan një takim me ministren e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini këtë të premte. Takimi mes një përfaqësie të asamblesë së pedagogëve dhe drejtuesve të ministrisë së Arsimit nisi rreth orës 09:00 të paradites.

Pas takimit, pedagogu Mark Marku, njëkohësisht Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, theksoi se diskutimi ishte jo rezultativ.

Diskutuam për gjendjen në universitet dhe u qëndruam kërkesave që kemi bërë. Praktikisht nuk pati një qëndrim konkret nga ana e Ministres së Arsimit, nuk u shpreh të paktën gjatë takimit për asnjërën nga kërkesat. Në terma të përgjithshëm tentoi ta çojë diskutimin drejt një diskutimi jo rezultativ. Kështu që ne e konsiderojmë këtë si një mospërgjigje ndaj kërkesave, presim deri në darkë në ajo do ketë një përgjigje konkrete dhe pastaj do të mbledhim takimin e asambleve, asamblenë dhe do të marrim një qëndrim për këtë mosreagim të ministres ndaj kërkesave tona”, tha pedagogu Mark Marku

Gjithashtu pedagogët i kanë vendosur një afat qeverisë që përfundon sot në orën 16:00. Nëse nuk plotësohen kërkesat e pedagogëve, ata kanë paralajmëruar grevë pa afat. Mirëpo, Marku u shpreh se nuk është vendosur akoma mes pedagogëve nëse do të organizohet një grevë e përgjithshme.

“Në qoftë se kolegët bien dakord që ne të organizojmë një grevë të përgjithshme, kjo do jetë grevë e pedagogëve. Normalisht një nga pikat është edhe mbështetja e studentëve, por studentët kanë grevën e tyre, axhendën e tyre. Natyrisht është komplimentare, por jo detyrimisht është e njëjta gjë”, tha ai.

Pedagogët pjesëmarrës në takimin e sotëm ishin Mark Marku, Rezart Prifti, Jani Marka, Marinela Sala dhe Erika Bejko. Si kërkesë kryesore ata kanë hartimin e një ligji të ri për arsimin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!