Parlamenti Europian ka votuar të martën për t’i dhënë fund zakonit të ndërrimit të orës dy herë në vit, duke filluar nga viti 2021. Sidoqoftë, do të jenë qeveritë e vendeve anëtare të Unionit që do të thonë fjalën e fundit për ndryshimin që zbatohet në pranverë dhe më pas në vjeshtë të të njëjtit vit.
Konkretisht, shtetet anëtare do të vendosin nëse do të qëndrojnë në pranverë të përhershme apo dimër të përhershëm në bazë të draftit të miratuar me 410 vota pro dhe 192 kundër. Vendet që duan të qëndrojnë përherë në kohë vere duhet ta ndryshojnë orën përfundimisht të dielën e fundit të muajit Mars të vitit 2021.
Ndërsa ata që dëshirojnë qëndrimin në kohë dimri të njëjtin veprim duhet ta kryejnë në Tetor të të njëjtit vit. Votimi i së martës është hapi i fundit i vendeve anëtare të BE-së për të harmonizuar kursimin e kohës, një nismë e propozuar që prej vitit 1980, për të parandaluar qasjet e kundërta në lidhje me funksionimin e tregut të përbashkët europian./abcnews.al