Parlamenti Evropian pritet të miratojë një rezolutë e cila i bën thirrje Bashkimit Evropian të ndalojë ndërtimet në tubacionin Rrjedha Veriore 2, i cili do të transportonte gaz natyror rus në Gjermani përmes Detit Baltik.
Ligjëvënësit po kërkojnë vendosjen e sanksioneve të zgjeruara kundër Rusisë pas arrestimit të liderit të opozitës, Aleksei Navalny. Ai u arrestua pas kthimit në Moskë pasi u trajtua në Gjermani për helmim me një agjent nervor.
Rusia ka kundërshtuar thirrjet ndërkombëtare për lirimin e Navalnyt.
Rezoluta jo-detyruese kërkon që sanksionet e BE-së të vendosura tashmë ndaj zyrtarëve rusë, përgjegjës për helmimin e tij, të zgjerohen edhe me ata që janë përfshirë në burgimin e kritikut të Kremlinit.
Sanksionet duhet të përfshijnë gjithashtu “oligarkët rusë”, “rrethin e ngushtë” të presidentit Vladimir Putin dhe “propaganduesit e medias”, në mënyrë që BE ta bëjë të qartë se “nuk do të jetë më një vend mikpritës për pasurinë ruse me origjinë të paqartë”, kërkojnë ligjvënësit evropianë.
Rezoluta thotë se shtetet anëtare të BE-së duhet të “rishikojnë bashkëpunimin me Rusinë në platforma të ndryshme të politikës së jashtme dhe në projekte të tilla si Rrjedha Veriore 2, përfundimi i të cilave duhet të ndalet menjëherë”.
Ministrat e jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë për këtë çështje javën e ardhshme, por çdo vendim i mundshëm mbase do të merret pas përfundimit të procedurave gjyqësore kundër Navalny-t.
Ekziston një presion në rritje mbi qeverinë gjermane, brenda dhe jashtë vendit, për të ndaluar Rrjedhën Veriore 2, e cila mundëson dyfishimin e kapacitetin të gazsjellësit ekzistues nënujor Rrjedha Veriore nga Rusia në Gjermani.
Qeveria amerikane dhe disa anëtarë të BE-së duan që projekti të ndalet. Ata thonë se kjo do të forcojë energjinë e Rusisë në Evropë dhe do të zvogëlojë rolin e Ukrainës si një vend tranzit për gazin rus.
Më 19 janar, Shtetet e Bashkuara sanksionuan një anije ruse për vendosjen e tubave në përpjekjen e tyre të fundit për të ndaluar projektin, i cili është 94 për qind i përfunduar.
Pavarësisht kritikave në rritje, ministria gjermane e Ekonomisë tha më 20 janar se planet e saj për projektin janë “të pandryshuara”./REL