PE: Bashkëpunimi BE-SHBA më se i nevojshëm në Ballkan

schedule13:33 - 5 Tetor, 2021

schedule 13:33 - 5 Tetor, 2021

Në Parlamentin Evropian është diskutuar të martën (5 tetor) për raportin rreth marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA).

Edhe pse janë dëgjuar shumë thirrje që BE-ja të ndërtoj kapacitetet e veta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në mënyrë që të jetë më pak e varur nga Shtetet e Bashkuara, megjithatë është thënë se ka shumë fusha ku është i domosdoshëm bashkëpunimi.

Këtu është përfshirë edhe nevoja për angazhim të përbashkët të rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në raport thuhet se “BE-ja duhet të bashkëpunoj më shumë me Shtetet e Bashkuara dhe të rindërtoj partneritetin strategjik lidhur me vendet e partneritetit lindor dhe Ballkanin Perëndimor në mënyrë që atje të ndërtohen shoqëritë demokratike dhe shumëetnike, rezistuese ndaj forcave autoritare lokale dhe të huaja”.

Po ashtu në raport thuhet se “Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të fqinjësisë lindore është çështje e sigurisë dhe paqës për tërë rajonin”.

Në të njëjtin tekst të raportit përshëndetet edhe rritja e koordinimit mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perendimor në rrugën e tyre drejt integrimit në BE.

Mirëpo kërkohet që të ketë më shumë institucionalizim të bashkëpunimit mes Këshillit të BE-së dhe Departamentit të Shtetit në SHBA.

Po ashtu kërkohet një rol i fuqishëm udhëheqës i BE-së për të ndalur nismat që çojnë drejt ndryshimit të kufijve dhe nismave të ngjashme të cilat “do të thellonin ndasitë etnike dhe segregimin”.

Në raport thuhet se BE-ja ka rolin kyç në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë fuqishëm besoj se vetëm përmes forcimit të partneritetit trans-atlantik mund të forcojmë edhe rendin multilateral botëror dhe të përballemi me sfidat e përbashkëta në luftë kundër ndryshimeve klimatike si dhe të rezitojmë ndaj regjimeve autoritare që rrezikojnë demokracitë tona”, ka thënë deputeti kroat, Tonino Picula, raportues për marrëdhëniet BE-SHBA në Parlamentin Evropian.

Më herët Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka folur përmes telefonit me presidentin amerikan Joe Biden. Shtëpia e Bardhë tha se Biden shprehu mbështetjen e tij të fortë për vazhdimin e pranimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas burimeve të BE-së, në bisedë është diskutuar edhe për nevojën e veprimit të përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilin javën e kaluar e kishte vizituar presidentja e Komisionit Evropian. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!