PDK: Të dorëhiqet narko-trafikanti i VV-së, të nisin hetimet për “Aferën Droga”

schedule16:18 - 15 Gusht, 2023

schedule 16:18 - 15 Gusht, 2023

PRISHTINA- Shefi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri ka kërkuar urgjentisht nga organet e rendit nisjen e hetimeve për atë që e cilësoi si  “Afera Droga” pas arrestimit të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci.

Ai rezultonte se ishte pjesë e një grupi kontrabandues në Shqipëri, të cilit iu gjetën  mbi 11 mijë doza drogë, që kapin shumën e rreth gjysmë milioni euro. Mes tjerash, ai theksoi se “sipas informacioneve të Policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri pikërisht me autobusë”.

“Besnik Mujeci nuk është vetëm një asamblist i Komunës së Prishtinës. Ditë më parë, pikërisht me insistimin e partisë së tij, ai është caktuar si aksionar në Ndërmarrjen Publike ‘Stacioni i Autobusëve’. Sipas informatave të Policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri me autobusë. Arrestimi i asamblistit të Vetëvendosjes, aksionarit të Ndërmarrjes Publike ‘Stacioni i Autobusëve’, ngre dyshimet e bazuara se caktimi i tij në këtë pozitë të lartë si aksionar i kësaj ndërmarrjeje, nuk ka qenë aspak i rastësishëm. Në të njëjtën kohë, i arrestuari, narko-trafikanti i Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, është miku më i afërt i Gëzim Sveçlës, shefit të asamblistëve të kësaj partie në Prishtinë. Për ju që nuk e dini, Gëzim Sveçla është djali i axhës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Kjo nuk është e tëra: Ky lloj i drogës, i shpërndarë nga narko-trafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci, prejardhjen e saj e ka në Serbi. Pra, këta, e kanë marrë drogën në Serbi dhe e kanë sjellë në Kosovë dhe Shqipëri”, shtoi ai.

Sipas tij, PDK-ja në Prishtinë ngre dyshimet se Besnik Mujeci mund të mos jetë i vetmi i përfshirë në këtë aferë të madhe të kontrabandës dhe shitjes së drogës.

“Pyetjet tona për organet e rendit janë të qarta: Ku e mori narko-trafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci këtë sasi të drogës? Sa herë deri më sot, duke shfrytëzuar kanalet zyrtare dhe pozitën institucionale në stacionin e autobusëve, ka kontrabanduar drogë për në Shqipëri? A është Shqipëria vendi i vetëm në të cilin ka trafikuar drogë Besnik Mujeci? A ka persona të tjerë nga radhët e kësaj partie të cilët janë të përfshirë në këtë aferë të madhe të drogës? Pse Besnik Mujeci nuk është arrestuar deri më sot në Kosovë? A ka pasur mbrojtje nga zyrtarë dhe institucione të tjera në vendin tonë?”, theksoi Retkoceri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!