Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbështetur vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, duke thënë se ai është në përputhje me Kushtetutën pasi deputetët dështuan ta zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, argumentoi se Kushtetuta përcakton qartë afatet për zgjedhjen e presidentit, duke caktuar se presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Ai tha se interpretimi i disa zyrtarëve të shumicës parlamentare për një afat 60-ditor nuk e anulon këtë dispozitë.
“Neni 82, paragrafi 1, përcakton se procedura për zgjedhjen e presidentit mund të zgjasë deri në 60 ditë, por ky nen nuk e anulon dhe as nuk e tejkalon afatin 30-ditor të përcaktuar në nenin 86”, tha Gruda, gjatë një konference për media.
Sipas tij, afati 60-ditor ka të bëjë me kohëzgjatjen e procedurës dhe jo me shtyrjen e afatit përfundimtar për zgjedhjen e presidentit.
Pra, Gruda argumenton se Kushtetuta thotë që procesi mund të zgjasë deri në 60 ditë, por duhet të përfundojë të paktën 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual të presidentit.
Edhe presidentja Osmani tha një ditë më parë më herët se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, 30 ditë para përfundimit të mandatit të saj më 4 prill.
Ajo nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, duke nisur kështu procesin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Dekreti i Osmanit është dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje dhe, një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti tha se afati 30-ditor thotë se procedura duhet të nisë, por jo të përfundojë.
“I kemi 60 ditë kohë të bëjmë zgjidhe e të mos kemi zgjedhje”, tha Kurti.
Seanca e fundit për zgjedhjen e presidentit u ndërpre në mungesë kuorumi, pasi në sallë munguan deputetët e partive opozitare. Në garë për këtë post ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërkohë, në të njëjtën konferencë, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja për shkak se shumica parlamentare nuk ka kërkuar sinqerisht një marrëveshje politike për postin e presidentit.
Tahiri akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po synon kontroll të plotë mbi institucionet e vendit.
“Kur refuzon marrëveshjen dhe insiston në kandidatë partiakë, mesazhi është i qartë: problemi nuk është presidenti, por dëshira për ta kontrolluar çdo institucion të vendit”, tha ai.
Edhe Kurti, një ditë më parë e akuzoi opozitën për mosbashkëpunim të mirëfilltë për zgjedhjen e presidentit.
Vitin e kaluar, Kosova mbajti dy palë zgjedhje parlamentare. Në të dyja, fituese doli Lëvizja Vetëvendosje.
Me fitoren mbi 51 për qind në zgjedhjet e fundit, LVV-ja nuk pati probleme në formimin e qeverisë, pasi që deputetët e saj gëzojnë 57 karriga në Kuvendin e Kosovës dhe votat e dhjetë deputetëve të komuniteteve joshumicë.
Por, votat për zgjedhjen e një presidenti nuk i kishte e vetme. Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61./REL/


