“Deputeti socialist i cili është edhe ndërtues, Sadri Abazi ka ndërtuar dy kate shtesë pa leje. Pas termetit, ai nxitoi ti shembë për të fshehur krimin”.
Kështu akuzoi sot PD-ja, duke publikuar edhe foto nga pallati i Abazit në Durrës.
Në reagimin e tij, deputeti socialist tha se kjo është e pavertete. Ai tha se ka një hotel në Durrësi i cili ka plasaritje në mure, por është në gjendje pune.
Deklarata e demokrates Fatbardha Kadiu: “Sadri Abazi, brenda 24 oreve të termetit vjen në zonen e plazhit të prish me urgjencë dy kate shtese të ndertuara pa leje. Lart dallohen prishjet (foto).
Pas Fatbardha Kadiut, Luciano Boçi dëshmon me foto praninë e Sadri Abazit tek ky objekt.
Luciano Boci: “Gjatë inspektimeve si grup i ngritur nga PD, me ish-deputeten e Durrësit Fatbardha Kadiu, në zonën e pistës “ILIRIA”, për të parë nga afër dhe inventarizuar dëmet e tërmetit, pamë aty dhe deputetin e PS, Sadri Abazi. Shumë “i shqetësuar” por i buzëqeshur, siç shihet në foto, kishte ardhur për çfarë?!
Për njerëzit?
As mos e mendoni.
Kishte ardhur për të zhdukur gjurmët e ndërtimit abuzues në pallatin e vet, të dëmtuar në përmasa të frikshme.
Pasi kishte hequr me shpejtesi dy katet pa leje që shihen qartë në foto, ka nisur me urgjencë zhdukjen e provave abuzuese.
Pas këtij fakti tronditës që nuk është i vetëm, disa pyetje lindin për Ramën:
Kush duhet të hyjë tani në burg?!!
Pse lejohet zhdukja e provave?!
Kush ia dha lejen Abazit?!!
Po katet pa leje?!!
Po prokuroria ku është?!
Kjo është e vërteta që kërkon të fshijë Rama me bufonizmat e tij.
Përgjegjësit e katastrofës i ka në krah duke nisur nga Gjushi, Abazi e të tjerë.
Përgjëgjësi kryesor është ai vetë si mbjellës i shkatërrimit në Tiranë.
Reagimi i Sadri Abazit
Në një lidhje telefonike për “News24”, deputeti Abazi tha se këto akuza janë të pavërteta dhe se në hotelin e tij nuk ka asnjë dëmtim dhe ndërhyrje në kate pasi është funksional.
“Janë të pavërteta. Tërmeti në Durrës ishte shkatërrues. Gjej rastin të ngushëlloj të afërmit që humbën fëmijët. Nuk është pallat por hotel. Hoteli është funksional dhe nuk kishte si të kishte 2 kate tepër dhe t’ia hiqja unë. Nuk është hequr asnjë kat jo dy kate. Hoteli ka pësuar vetëm plasje të vogla të mureve, asgjë tjetër. Nuk është klasifikuar i pabanueshëm. Është në gjendje pune dhe në këto momente.
Nuk kam replikuar, kam qenë duke qeshur. Ai më tha ‘ju nëm (mallkon) Zoti ju socialistët se ju ra tërmeti’ e tha që ‘Edi Rama do dorëzohet para Bashës’. Deshi të përfitonte nga fatkeqësia. Boçi është thjesht si gjithë shokët e tij që mundohet të mashtrojë edhe në këto situata jo të qarta për qytetarët e Durrësit dhe Tiranës. Unë në Durrës isha me duar në xhepa, po qeshja me të, u takova përzemërsisht kaq. Më ka bërë një foto në rrugë ku isha dhe kaq”.
Ai shtoi më tej se ka parë nga afër zonat e prekura në Durrës dhe Tiranë dhe se sektori i ndërtimi i rezistoi tërmetit të fuqishëm.
“Kam qenë në Tiranë dhe në Durrës kam parë disa zona. Ka dëmtime në mure dhe jo në banesa. Sektori i ndërtimit i rezistoi këtij tërmeti të fuqishëm”, deklaroi Abazi.
Boçi: Përgjigje për Abazin
Është e vërtetë që zoti Abazi ishte shumë, po shumë i qeshur sot!
Ngazëllehej me fatin tragjik të njerëzve dhe nuk ndjente aspak shqetësim për gjendjen e tyre dhe prishjen e provave.
Ai ishte aty për “bahçen” e vet.
Në vend që të angazhonte njerëz e mjete për t’i ardhur në ndihmë banorëve që kanë humbur jetë, djersë e mund, kishte angazhuar gjithçka për të mbuluar gjurmët e krimit ndërtimor dhe lejes abuzive të Gjushit e për të shpëtuar milionat e veta.
Një turp i parrëfyer ky, i bërë në mes të ditës, duke i bërë karshillëk hapur njërëzve që nuk dinë ku të fusin kokën.
Ndërkohë qytetarët denoncojnë tanimë hapur, që hotelet AS dhe HORIZONT të tij janë me kate shtesë abuzive.
Normal është i përkëdheluri i Ramës si shumë SADRINJË të tjerë.
Sa për replikën, qartazi qytetarisht ia vura në dukje atë që po bënte.
Për citimin që ka sjellë ka mashtruar publikisht.
Fjala “nëmi” është e zonës së Sadriut. Janë krejt fjalët e tij.
Këtej nga ne përdoret “mallkoi” e nuk ia vlen të zgjatem këtu pasi nuk pjesë e fjalorit tim. Unë s’jam Rama as Sadriu.
Por zakoni del me shpirtin dhe Sadriu, nën shembullin e Ramës, si sadrinjtë e tjerë, vetëm mashtrojnë, abuzojnë, fshehin krime e bëjnë miliona me thasë nën rrënojat e një Shqipërie që e grabisin e vjedhin dhe e rrjepin duke qeshur, tallur e bërë shoë-n e neveritshëm.
Por për sërën e llojin e Ramës, Gjushit e kompani ka një ndëshkim.
Ndëshkim që do vijë nga vota e lirë e socialistëve të nëpërkëmbur e të mashtruar, nga vota e demokratëve të përndjekur këtu e gjashtë vite, nga vota e qytetarëve të cilëve u ka ardhur Rama, Sadriu, Gjushi e banda e Rilindjes, në majë të hundës.