Qeveria Rama urdhëroi shpërdorimin e miliarda lekëve të marra borxh nga FMN, duke i kthyer në bojë për fasada, duke rritur borxhin publik në kufijtë më të lartë në histori. Është ky denoncimi i rradhës nga selia e Partisë Demokratike. Sipas drejtoreshës së departamentit antikorrupsion Lealba Pelinku, vetëm për vitin 2018 qeveria ka shpenzuar 25 milionë euro për blerje apo qira makinash për zyrtarë e qeveritarë. Ndërkohë që prej vitit 2014 kjo vlerë shpenzimesh luksi kap shifrën prej 61.2 milionë euro. Pelinku thotë se duke iu referuar shifrave zyrtare të publikuara nga vetë qeveria, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shpenzuar nga buxheti i tij, 88 milionë lekë për një limuzinë, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Turizmit, ka shpenzuar 100 milionë lekë për 1 automjet të vetëm. Në vetëm 8 muaj sipas demokratëve qeveria ka shpenzuar për luks 11.3 miliardë lekë, aq sa vlera e Ndihmës Ekonomike në Buxhet. /abcnews.al