Pas reagimit të Prokurorisë, e cila kërkon që të mos publikohen përgjimet për dosjen “339”, ka reaguar Partia Demokratike. Kjo e fundit akuzon Kryeministrin Edi Rama se po kërcënon mediat.
“Në vend që, sot, politikanët e kapur në shitblerje votash me krimin, të ishin me pranga në duar; në vend që Kryeministri të jepte dorëheqjen dhe të vihej në dispozicion të hetimit për zbardhjen e krimeve zgjedhore; Edi Rama urdhëron shantazhimin dhe kërcënimin ndaj gazetës gjermane BILD dhe mediave shqiptare që nxorrën në dritë krimin zgjedhor. Kërcënimet e shërbëtoreve të tij provojnë se Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në krim Vangjush Dako, Astrit Avdylaj, garantet e mosndëshkimit të këtyre krimeve elektorale, Arta Marku dhe Donika Prela, janë e njëjta dorë kriminale, pjesë e të njëjtit grupi të strukturuar kriminal që vjedh votat, dhunon votuesit, manipulon hetimet dhe kërcënon mediat”.
Më anë të një deklarate për mediat, selia blu inkurajon gazetarët që të publikojnë informacione, ndërsa nga prokurorët kërkon që të mos marrin urdhra politikë.
“Partia Demokratike inkurajon gazetarët të vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre për të informuar publikun mbi të vërtetën e tmerrshme se Shqipëria drejtohet nga krimi i organizuar. Partia Demokratike inkurajon çdo prokuror të mos i bindet urdhrave politikë të një Kryeministri të kriminalizuar apo veglave të tij në drejtimin e Prokurorisë. Vënia përpara drejtësisë e pushtetarëve që kanë bashkëpunuar në zgjedhje me krimin e organizuar, është shërbimi më i madh ndaj interesit publik”. /abcnews.al