Partia Demokratike mblodhi Kolegjin e Kryetarëve, organ i ri i kësaj force politike i krijuar me ndryshimet statuore të prillit 2018, në përbërje të së cilit janë kryetarët e degëve të Partisë Demokratike në Tiranë dhe rrethe.
Mbledhja erdhi pas asaj të një dite më parë, kur kryesia e demokratëve, e mbledhur rreth diskutimit të modaliteteve dhe formës që do të marrë aksioni opozitar sa i përket protestave që kreu i demorkatëve Basha ka deklaruar se do të prijë, vendosi të ngarkojë pikërisht Kolegjin e Kryetarëve me përcaktimin e strategjisë që do të ndjekin në organizimin e këtyre protestave.
Në mbledhje, e cila nisi në 11 të paradites së të martës, diskutimi u fokusua tek mobilizimi i strukturave të partisë në organizimin e bazës për shpërndarjen e mesazhit tek qytetarët, atë të largimit të kryeminsitrit Rama dhe organizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme nga një qeveri tranzicioni. Do të jetë një mbledhje e dytë e kryesisë së demokratëve, pasditen e së martës, ajo që do të përcaktojë edhe detajet e këtij organizimi, ku pritet të njoftohet edhe data e nisjes së protestave. /abcnews.al