PD kundër mbledhjes online të Komisioneve, Rushaj: Të hidhet poshtë vendimi

schedule10:59 - 23 Shtator, 2021

schedule 10:59 - 23 Shtator, 2021

Partia Demokratike ka refuzuar kërkesën e Partisë Socialiste lidhur me organizmin online të Komisioneve Parlamentare. PD pretendon se mbledhje online do të dëmtonin transparencën për publikun. Sipas demokratëve Kuvendi ka mjaftueshëm hapësirë për të organizuar mbledhjen e komisioneve normalisht sipas rregullave të vendosura për parandalimin e Covid.

Lidhur me këtë çështje në seancën e sotme të Kuvendit ka reaguar dhe Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj duke thënë se sot vendi nuk gjendet në gjendje të jashtëzakonshme që mbledhjet të kryhen online.

”Gjatë këtyre gjendjeve të masave të jashtëzakonshme (pandemia, ose tërmeti). Kushtetuta dhe ligjet përcaktojnë kufizimet. Ne sot nuk jemi në asnjë nga këto gjendje për të kufizuar punën e komisione parlamentare. Për ta çuar parlamentarizmin drejt asgjësimit. Kërkoj që ai vendim i paligjshëm që u mor në konferencën e kryetarëve të hidhet poshtë dhe të vazhdohet në përputhje me rregulloren dhe kushtetutën” tha Rushaj.

Nga ana tjetër deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se po zhduket parlamentarizmi.

“Njëri në kafe, tjetri në plazh, tjetri në makinë dhe askush nuk merrej vesh se çfarë po votohej, po ka pasur një situatë të gjendjes së jashtëzakonshme, qeveria ka thënë e kemi kaluar me sukses nuk ndodh gjë lidhur me pandeminë, sot baret i ke plot, fëmijët në shkolla shkojnë, pse komisionet parlamentare dhe aty ku diskutohet në mënyrë të detajuar, u dashka bërë online, pse u dashka, të japim një sinjal, që fëmijët në shkolla, në koncerte madje, nuk paska problem dhe vetëm ne u dashkemi mbrojtur në komisione parlamentare, është sinjali më i gabuar, për vete mbrohemi për ato jo. Nuk duam që jeta e askujt, por a nuk jemi në fazë vaksinimi, të vendoset rregulli që të vaksinohemi apo të paraqesim test, kështu mbrojmë edhe deputetët, por i garantojmë publikut për t’u informuar. Mjafton të shihni dokumentet parlamentare, gjysma tyre thuhej “nuk dëgjohej”, po asgjësohet parlamentarizmi”, tha Alibeaj. /abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!