PD: Kompania nën sekuestro nga përmbarimi do të prishë objektet në Unazën e Re

schedule14:39 - 30 Nëntor, 2018

schedule 14:39 - 30 Nëntor, 2018

Një kompani e vendosur nën sekuestro nga Përmbarimi është përzgjedhur nga qeveria për të prishur objektet në Unazën e re në Tiranë. Denoncimi vjen nga selia e Partisë Demokratike. Zëdhënësja Ina Zhupa publikon një dokument që mban datën 14 Nëntor në të cilin tregohet se Zyra e Përmbarimit ka vendosur në sekuestro me ekzekutim të detyrueshëm të gjitha asetet e kompanisë Biba X; konkretisht në kuotat ligjore të kompanisë, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, kantiere aktive të ndërtimit, llogari bankare. Sipas Partisë Demokratike kompania ishte nën sekuestro edhe në kohën e pjesëmarrjes në tenderin për ndërtimin e 2.2 kilometrave të Unazës së Re. Demokratët i kërkojnë prokurorisë të dëgjojë zërin e banorëve dhe të marrë menjëherë në shqyrtim kallëzimin e tyre penal./abcnews.al