PD është infertile; edhe po lindi, kthehet në barkun e nënës

schedule15:21 - 5 Shtator, 2024

schedule 15:21 - 5 Shtator, 2024

Nga Frrok Çupi

Dikur kishim dëgjuar tek mallkonin edhe ashtu- ashtu, por edhe rëndë. Më e rënda, (edhe kjo kishte lidhje ombilikale), njësoj si fati sot i Partisë Demokratike: ‘Veç në hysh në barkun e nënës, pa fati i zi do të të gjejë!’, mallkohej.
Më erdhi në mëndje këto ditë zulmesh ‘me thonj e me dhëmbë’, kur PD po thotë se është gati të lindë disa ‘të vegjël’ që do të quhen edhe ato ‘parti’. Një prej tyre është e vetë Bashës, Alibeaj është gati, Tabaku përflitej për një lindje të re por u kthye në strehëz- ndoshta për pak kohë, Topalli ka partinë e vet por vërtitet natën nëpër kotecet e PD-së.
Të gjitha që kanë lindur nga barku i PD janë harruar, kanë mbetur vetëm emrat e baballarëve: Partia e Cekës, partia e Pollos, partia e Baletës, partia e Dashit, partia e Bamirit, partia e Hajdarit, partia e Murrizit, partia e Patozit… Ku janë sot? Të gjitha janë kthyer në barkun e nënës, sipas mallkimit të vjetër.
Nuk është i veçuar fenomeni në PD. Në botë, çdo vit, rreth 50 milionë çifte janë infertilë.

Infertiliteti (shterpësia) është mbreti i Partisë Demokratike; nuk është Sali Berisha, siç e thonë. Madje edhe ky është në krye të PD, pse është infertil. Erdhi në këtë jetë politike dhe po shkon pa lindur asnjë ide, asnjë projekt të mirë për vendin, asnjë mirësi, asnjë dobi, asnjë hap përpara, as demokraci… PD, vetë u kthye në barkun e Partisë së Punës nga ku kishte lindur.

Tani habiten njerëzit se si PD, ende pa ardhur, dogji veprat e industrisë, shkolla, ferma, ushtri, dhe shkatërroi ekonominë kombëtare. E gjitha lidhet me sëmundjen ombilikale të shterpësisë. Kur ishte koha që shterpësia stigmatizohej, ajo quhej ‘shtriga pa fëmijë’ që kishte për zakon të helmonte fëmijët e të tjerëve. Partia Demokratike, pse ishte infertile, bash për këtë arsye dogji e shkatërroi veprat e popullit që i quajti ‘fëmijë të Enverit.
Në Anglinë e shekullit të 16-të, gratë pa fëmijë u përbuzën. Dhe në Francën e shekullit të 19-të, shumë mjekë e lidhën mungesën e fëmijëve me sëmundjet veneriane ose shthurjen. Me përbuzje, kudo.

Edhe kur ka lindur PD, ka lindur të tillë që nuk e durojnë dritën dhe kthehen menjëherë në barkun e nënës. Duket si makabre, por kështu duket. Vetë Berisha, që mbahet si kryetari pjellor, në 8 janar 2022 i hyri me hunj e sëpata selisë së PD buzë Lanës, desh ta digjte e të vriste ‘bletën’ brenda saj. Por sa kaloi pak, ai u kthye në mitrën nga kishte dalë, aty buzë Lanës. Urrejtja ndaj shterpësisë i nxiti demonët që ta shqyente atë mitër ‘pa fryt’. Por ja që ndërroi.
Nuk ka gjasa që PD të lidë ndonjë gjë të vlerë.

Gratë mungojnë qind për qind, u tha dje në mbledhjen e Byrosë. PD ka vetëm bosa, por nuk ka meshkuj. Ka rënë prej kohësh paradigma se ‘vetëm gruaja është fajtore’ e infertilitetit. Kudo në botë po rritet debati publik mbi infertilitetin mashkullor.

Ato pak gra që vijnë rrotull në PD, as këto nuk shikojnë nga pjellshmëria, të gjitha kanë hallin ‘si nuk po na lirojnë liderin Berisha’. Prapë kanë hallin e burrit. Por ja edhe e liruan!… Ai e ka treguar veten se është infertil… Të tjerët poshtë tij dhe nën ballkon, akoma më keq.
Nuk ka shpresë se lind gjë në PD.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!