“PD e ka mbyllur ciklin”, Çupi: Ka vetëm berishistë të vegjël. S’mund të jetë as partia e Bashës, duhet të merret i pandehur për Gërdecin dhe 21 Janarin

schedule18:53 - 23 Janar, 2024

schedule 18:53 - 23 Janar, 2024

Ndërsa Sali Berisha shkonte në SPAK, selia e PD-së që mbahet nga Foltorja ishte në heshtje totale. E tillë ka mbetur prej gati një muaji që kur Berisha u izolua nga gjykata në banesë. Edhe zyrat me qira të PD zyrtare të Bashës janë thuajse të boshatisura ndërkohë që vetë kryetari nuk ndodhet në Shqipëri.

Në “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, analisti Frrok Çupi theksoi se PD e ka mbyllur prej kohësh ciklin e saj. Ai theksoi se në këtë parti kanë mbetur ata që ai i cilësoi si ‘berishistët e vegjël’. Çupi thotë se nuk është as parti e Lulzim Bashës pasi sipas tij duhet të jetë i pandehur për 21 Janarin dhe Gërdecin.

“E kam thënë që PD prej kohësh e ka mbyllur ciklin dhe mendoni një organizëm, një specie e gjallë që ka mbyllur ciklin dhe nuk jeton më. Kjo është ajo që po ndodh në PD. Ajo është një parti që i ngjan procesionaresh, që domethënë se ndjek Berishën. Ata të gjithë janë berishistë të vegjël. Në kohën kur Berisha nuk merr më frymë në kuptimin politik, ata nuk marrin më frymë.

Lidershipi i PD ka njerëz të inkriminuar dhe pjesa e njerëzve të thjeshtë janë të mbetur si njerëz të fiksuar pas një gjëje dhe ata janë turma. Nuk janë qenie politike në kuptimin e politikës së strukturuar. Ajo PD është Saliu, i cili nuk është më. Si mund të jetë më partia e Bashës që në momentin të thirret Berisha për vrasjet e mëdha të 21 Janarit dhe Gërdecit do të jetë edhe ky po aq i pandehur.

Basha nuk po tregohet i sinqertë me publikun dhe militantët e vet. Arsyeja më e rëndësishme pse u fsheh për një kohë janë përpjekjet e dështuara për t’u afruar me Departamentin Amerikan të Shtetit. Shkoi atje dhe askush nuk e priti që domethënë se SHBA kanë hequr dorë nga ky tip. Më tej mund të jetë i penduar pse i ndodhi. Basha është bashkëpunëtori më i ngushtë i Berishës dhe asnjëherë s’e kanë akuzuar njëri-tjetrin.”, theksoi analisti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!