Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK 5 përfaqësues të lëvizjes Berisha për falsifikimin e vulës së PD, që u përdor në Kuvendin e 11 dhjetorit. Të kallëzuar janë Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi, si dhe Ivi Kaso e Ervin Minarolli. Njëri prej tyre Ivi Kaso, i cili ishte i ftuar në emisionin “Log.” në Abc e ka quajtur të turpshme këtë lëvizje të Bashës.
“Komisioni i rithemelimit ka sekretarinë e vetë ka logjistikën e vetë dhe filluar të funksionojë si parti. Mbledhjen formale të saj të parë të konstituimit e kreu në seli ku u morën vendime të rëndësishme. Sa i përket Kallëzimit të bërë në SPAK, është një gjë e turpshme, s’ma kishte pritur mendja që do të shkohej deri këtu, ma çoi një gazetar me foto. Isha në mbledhje kur ma çoi gazetari dhe se besoja që do arrinte deri në këtë pikë, por natyra njerëzore nuk rresht kurrë, prandaj turpi t’i mbetet atij që e ka bërë. Pala tjetër (e Bashës) është ajo që rrethon portat metalike nga hyhet në PD duke i lidhur me zinxhirë, duke shpërthyer bravat e dyerve”, tha Kaso duke folur për situatën në PD.
Pedagogu Erlis Çela u shpreh se as Berisha dhe as Basha nuk e pranojnë njëri-tjetrin por në fakt të dyja palët janë aty. Ai evidentoi faktin që pas Kuvendit të Berishës, ambasadorët e perëndimit mbështetën Bashën duke i shkuar në zyrë.
“Të dyja palët kanë ardhur në një moment që kanë retorikë asgjësuese. Berisha tha se s’ka kryetar. Ajo që do të thoja është se çështja nuk u zgjidh në 11 dhjetor. Berisha thoshte se me 11 mbaron kjo punë, por Basha në fakt është aty. Erdhën në një moment që të dy nuk e pranojnë njëri tjetrin, por janë aty të dy. Ambasadorja nuk takoi Komisionin e Rithemelimit pas Kuvendit, por Bashën. Njerëzve s’mund t’i thoni se nuk ekzistojë të dyja palët”, tha Çela, duke iu drejtuar Kasos.
Beteja sipas juristit Fabjon Topollaj tashmë është për vulën dhe logon e PD.
“Shkarkimi i sekretarëve apo mbështetësve të Berishës apo çuarja e tyre para drejtësisë për falsifikimin e vulave është betejë brenda PD, se kush do arrijë të mbajë vulën dhe siglën e PD. Unë mendoj se pjesa dërrmuese e militantëve janë mbështetës të Berishës. Beteja tani bëhet për vulën, unë do e vazhdoj mendimin atje ku e kam lënë herën e fundit. Unë mendova se Basha pjesë të strategjisë së tij do ketë përjashtimin e mbështetësve të Berishës. E ka të vështirë gjykata të vlerësojë se kush janë delegatët e vërtetë të PD. Gjykata do pranojë si legjitim delegatët e Bashës sepse e ka të pamundur të vërtetojë Berisha se kush kanë qenë delegatët e vërtetë”, tha ai mes të tjerash. be.k/abcnews.al