Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kthyer listat e kandidatëve për deputetë thuajse të gjitha forcave politike të regjistruara më 8 Mars për zgjedhjet e 25 Prillit, mes tyre edhe Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike-Aleanca për Ndryshim.
Në mbledhjen e zhvilluar pasditen e sotme KQZ vendosi kthimin mbrapsht të listave për shkak të mungesave të gjetura në formular. Përfaqësuesi i KQZ deklaroi se kërkesa për regjistrim e PS-së, në qarkun Elbasan nuk është në përputhje me kriterin gjinor ndërkohë që në tre qytete të tjera ka mangësi në formular ku kandidatët nuk kanë plotësuar disa rubrika ose nuk kanë hedhur firmën.
“PS ka paraqitur një kërkesë për miratimin e listave shumë-emërore. KQZ ka verifikuar listën e kandidatëve dhe ka konstatuar mangësi. Kërkesa për qarkun Elbasan nuk është në përputhje me kriterin gjinor. Gjithashtu ka dhe disa deklarata të kandidatit për deputet të qarkut Durrës, Korçë, Fier, në formularin e vetëdeklarimit në disa pika figurojnë të paplotësuara, si atësia dhe amësia. Në listat e vetëdeklarimit në Fier, Lezhë dhe Vlorë ka parregullsi në lidhje me formularin, mungon firma dhe nuk është plotësuar një rubrikë”, u shpreh përfaqësuesi i KQZ.
Ndërkohë në lidhje me listat e Partisë Demokratike-Aleanca për Ndryshim, përfaqësuesi i KQZ u shpreh se në 11 qarqe është tejkaluar numri i kërkuar i kandidatëve për deputetë. Nga ana tjetër në Tiranë dhe Korçë nuk është respektuar kuota gjinore.
“Është regjistruar si subjekt zgjedhor. Ka paraqitur në KQZ listat shumë-emërore. Është bërë verifikimi dhe janë konstatuar mangësi, në qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Kukës, Gjirokastër, Dibër, Shkodër, Durrës, Fier, Vlorë, dhe Korçë listat kanë tejkaluar numrin e kërkuar të kandidatëve dhe kanë mospërputhje të tjera ligjore. Në qarkun Tiranë dhe Korçë nuk është respektuar kuota gjinore. I kërkoj KQZ të kthejë listat zgjedhore të Partisë Demokratike, Aleanca për ndryshim”, deklaroi ai.
Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi deklaroi se sipas Kodit Zgjedhor, partitë duhet të dorëzojnë nga e para të gjithë dokumentacionin, edhe në qarqet ku nuk janë gjetur problem.
“Kodi Zgjedhor përcakton që dokumentacioni kthehet i gjithi. Ju mund të risillni atë dokumentacion për qarqet ku nuk ka problem ndërsa aty ku ka problem do bëni korrigjimet. Jam dakord që të listohet natyra e korrigjimit që duhet të bëhet nga ana juaj”, tha Celibashi.
Në përfundim të mbledhjes KQZ vendosi të kthejë listat për 6 forca politike: Partia Nisma Thurje, Partia Balli Kombëtar, Partia Bindja Demokratike, Partia Socialiste e Shqipërisë, koalicioni Aleanca për Ndryshim (PD-PR-PDIU-PAA-PBDNJ-PDK-LZHK-PLL-FRD-BLD-PBKD-PBD-PKD”), “PD-AN”, Aleanca Bashkimi Popullor – Emigracioni – Ora e Shpresës dhe Konservatorët./mv.abcnews.al