Këtë parashikim të deputetit demokrat Oerd Bylykbashi, bërë 9 muaj më parë gjatë procedurës së shqyrtimit të kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm që përcaktoi emrin e Arta Markut në krye të organit të akuzës.
Këshilltari ligjor i demokratëve Gazment Bardhi e përsëriti nga foltorja e selisë blu.
“Transferimi i njërit prej prokurorëve dhe procedimi disiplinor i një prokurori tjetër, të dosjes së Saimir Tahirit, vetëm pak orë pasi kishin urdhëruar sekuestrimin e plot 31 pasurive të grupit kriminal “Habilaj”, është një mesazh i qartë për drejtësinë: Kush vepron ndaj bandave të lidhura me pushtetin, largohet nga detyra, ndëshkohet dhe sulmohet.
Shpërbërja e grupit hetimor të dosjes së Saimir Tahirit, dhe pengimi i drejtësisë në këtë rast, janë veprime kriminale të Kryeprokurores Arta Marku dhe ajo duhet të përgjigjet përpara ligjit për këtë”.
Për këtë, por edhe lëvizje dhe procedime të tjera të prokurorëve, kërkojnë shqyrtimin dhe pranimin sa më shpejtë të padisë së depozituar nga opozita për pezullim të kryeprokurorës së përkohshme.
“Transferimi i paligjshëm i 3 prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe procedimi disiplinor për 10 prej tyre, është pjesë e një skenari të urdhëruar nga Edi Rama, për të shantazhuar prokurorët që janë në betejë të përditshme me krimin e organizuar, pushtetarët e lidhur me të dhe qeveritarët e korruptuar”.
Qëllimi i kryeprokurores Arta Marku për demokratët është që drejtësia të mos funksionojë për bandat e lidhura me pushtetin ashtu si nuk funksionoi për vëllain e ministrit të Brendshëm Xhafaj dhe si nuk do të funksionojë as për Saimir Tahirin, përfundon Bardhi./abcnews.al