Hapja e edicionit të 25 të Panairit të Librit ka bërë që 99 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe më pak nga Mali i Zi të prezantojnë botimet e tyre në panair. Zhvillimet e reja teknologjike, mënyrat e ndryshme të komunikimit me librin, kanë sjellë shumë debate në lidhje me lexueshmërinë apo formatin më të pëlqyer. Në një bisedë në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, menaxheri i platformës Bukinist.al ka theksuar që ‘libri fizik ka ende një pozicion të fortë në treg, 65% të njerëzve e lexojnë librin në formatin fizik, disa duan të bëjnë citime, libri fizik është shumë i fortë, është një nga mjetet e parapëlqyera të studiuesve, jemi ende në fazën ku libri fizik është dominues’.
Ndërsa përsa i përket përzgjedhjes, Gjoka theksoi që ‘autori dhe përkthyesi janë ato që vlerësohen më shumë tek libri’.
Sipas tij ka një sërë emrash të rinj që po marrin guximin me nismat e tyre për të sjellë një narrativë të tyre mënyrën sesi e perceptojnë botën. Talentet kanë dalë edhe si pasojë e një procesi përzgjedhjeje dhe promovimi dhe janë edhe si pasojë e përpjekjes së tyre për të ndërtuar mekanizma perceptues për realitetin që na rrethon. Ato ndihmojnë gjithashtu për të rritur dimensionin e lirisë, më i qetë dhe më i qartë për veten tënde.
Gjoka përmendi edhe disa botime të reja për lexuesit e vegjël, ku janë ribotuar disa klasikë të tillë si ‘Aventurat e Tom Sojerit’ apo dhe autorë të njohur shqiptarë të tillë si Gaqo Bushaka, Adelina Mamaqi. ‘Ka libra të rinj sidomos për grupmoshën 12 – 14 vjeç duke përmbushur nevojat që kanë fëmijët e vegjël kanë për të kuptuar më mirë botën dhe realitetin rrethues’ tha Gjoka.