Çmimi për metër katror për banesa në Kosovë është rritur me deri 200 euro më shumë. Aktualisht, mesatarja e çmimit të banesave në Kosovë është rreth 1000 euro për metër katror. Në disa zona çmimi ka shkuar mbi 2.500 euro.
Me rritjen e kostos së ndërtimit viteve të fundit, është rritur edhe çmimi i një metri katror të banesave në Kosovë.
Çmimet e materialeve ndërtimore janë rritur gjatë viteve të fundit mbi 30 për qind.
Për këtë shkak edhe çmimet e patundshmërive kanë prekur qiellin.
Për një banesë të re në Prishtinë, varësisht lokacionit, blerësi duhet të paguajë nga 900 euro, 1000 deri në mbi 2.500 euro për metër katror.
Nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës kanë treguar se çmimet janë të ngjashme edhe në Prizren, ndërsa pak më të ulëta janë në qytetet tjera, si: Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan dhe Pejë.
Për krahasim, një metër katror i një banese në Fushë Kosovë – gjashtë kilometra larg Prishtinës – ka arritur në 650 euro e më shumë gjatë vitit 2022, nga 500 sa ka qenë vitin paraprak. Çmimi atje vazhdon të jetë i njëjtë.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Faton Hoxha, ka deklaruar se çmimi i banesave të reja nuk mund të ulet.
“Çmimi i banesave të reja vështirë se mund të shënojë rënie. Nuk ka pasur rënie [aq të madhe] të kostos së ndërtimit. Pothuajse të gjitha shpenzimet dhe materialet ndërtimore kanë çmime të njëjta. Një rënie të vogël të çmimit ka pasur çimentoja dhe hekuri”.
Edhe eksperti financiar në Kosovë, Milazim Abazi, ka treguar se tendenca e çmimeve në patundshmëri është në rritje.
“Sa më herët të blihet prona, aq më mirë do të jetë dhe ka përfitime. Nëse një metër katror i një banese në zonat e mira para pesë viteve ka qenë 700 apo 800 euro, ato janë dyfishuar tani”.
Rritjen e çmimeve në përgjithësi të produkteve e ka shkaktuar fillimisht pandemia e koronavirusit, ndërsa hov të madh kjo rritje ka marrë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në fund të shkurtit.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se mesatarja e kostos së ndërtimit në vitin 2021 dhe 2022 ka shënuar rritje deri në 16 për qind krahasuar me vitin 2020.
Por, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kostoja e ndërtimit ka rënë për 0.6 për qind, tregojnë të dhënat e ASK-së, të publikuara këtë muaj.
Agjentë të shitjes së patundshmërive në deklarime publike kanë treguar se çmimet e tokave në Prishtinë janë rritur për 30 për qind e më lart, krahasuar me vitet e me hershme
Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në një raport të publikuar në muajin gusht të vitit të kaluar, ka parashikuar se sektori i ndërtimit dhe i patundshmërive do të përballet me probleme financiare, për shkak të rritjes së kostove të produkteve dhe lëvizjes së çmimeve.
Sipas raportit, përkeqësimi i situatës do të bëhet më evident, për shkak të “pasigurisë në sjelljen e diasporës kosovare”.
Diaspora e Kosovës, sipas BQK-së, zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja, që bëhen kryesisht në patundshmëri./Monitor