Patriot apo spiun, Artur Meçollari përplasje të hershme me Xhaçkën, dasma për mikun e tij

schedule16:16 - 9 Gusht, 2020

schedule 16:16 - 9 Gusht, 2020

Nga Esiona Konomi

Artur Meçollari  ishte deri të premten Zëvendës Komandant i Forcave tona Detare.

Në 7 gusht, ai u shkarkua nga detyra e tij si numri dy i forcave detare, pasi Policia Ushtarake, e sinjalizuar më herët, kapi një anije ushtarake në Durrës që po përgatiste një ceremoni martesore.

Anija ishte dekoruar, dhe në të po planifikohej ardhja e ushqimeve dhe pijeve, e pas mbërritjes së dasmorëve, mjeti ushtarak do të dilte në det.

Vetë Meçollari  mësohet se i ka thënë policisë ushtarake, që kishte njoftuar për këtë ceremoni drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes.

Por sic i thanë burimet ABC News, Meçollari  nuk kishte marrë asnjë leje apo  autorizim zyrtar, por vetëm kishte telefonuar një këshilltar të Olta Xhackes, i cili mësohet të ketë dhënë pëlqimin për këtë rast.

Por sipas Policisë Ushtarake, kjo nuk është e mjaftueshme, pasi hipja e civilëve në mjetet ushtarake, duhet të autorizohej nga eprorët ushtarakë e jo civilë të Meçollarit, gjë e cila nuk rezulton e dokumentuar.

Siç ka mësuar ABC News, ceremonia martesore do të zhvillohej për djalin e një ish-ushtaraku, i cili kishte njohje të afërta me Meçollarin.

Vetëm Meçollari  nuk dha detaje për këto akuza, pavarësisht insistimit të ABC NEWS.

Grada e tij ushtarake, nuk është aq e lartë sa buja që vetë emri i tij ka bërë, për arsye të ndryshme.

Meçollari  është kapiten i rangut të parë, grada e 4 për nga hierarkia ushtarake.

Ai kishte kundërshtuar paktin detar të 2009 të firmosur nga Lulzim Basha, por emri i tij u risoll në qendër të debateve në vitin 2018, kur Ditmir Bushati, e përfshiu në grupin negociator për marrëveshjen e detit me Greqinë

“Dua të denoncoj me ashpërsinë më të madhe vendosjen në kryer të grupit të një ish-spiuni të FA i larguar pas dokumentimeve të Shërbimit Informativ”, u shpreh Berisha.

Olta Xhaçka që e kishte kthyer në punë ushtarakun, e mbrojti atë publikisht.

“Është larguar padrejtësisht nga FA dhe arsyet e vërteta janë se nuk pranoi të firmoste për heqjen e disa bazave detare nga plani i përhapjes për t’ia dhënë miqve të doktorit”, u shpreh Xhaçka.

Tashmë, Ministrja e Mbrojtjes zor se mund të shfaqë të njëjtin pasion mbrojtës për ushtarakun detar, të kësaj figure të ngecur mes patriotit apo spiunit.

Burime nga Ministria e Mbrojtjes thonë se marrëdhënia e tyre është krisur prej kohësh, dhe Meçollari  është kapur dhe në disa shkelje të tjera, për të cilat, është paralajmëruar. /abcnews.al