Nga Esiona Konomi
Artur Meçollari ishte deri të premten Zëvendës Komandant i Forcave tona Detare.
Në 7 gusht, ai u shkarkua nga detyra e tij si numri dy i forcave detare, pasi Policia Ushtarake, e sinjalizuar më herët, kapi një anije ushtarake në Durrës që po përgatiste një ceremoni martesore.
Anija ishte dekoruar, dhe në të po planifikohej ardhja e ushqimeve dhe pijeve, e pas mbërritjes së dasmorëve, mjeti ushtarak do të dilte në det.
Vetë Meçollari mësohet se i ka thënë policisë ushtarake, që kishte njoftuar për këtë ceremoni drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes.
Por sic i thanë burimet ABC News, Meçollari nuk kishte marrë asnjë leje apo autorizim zyrtar, por vetëm kishte telefonuar një këshilltar të Olta Xhackes, i cili mësohet të ketë dhënë pëlqimin për këtë rast.
Por sipas Policisë Ushtarake, kjo nuk është e mjaftueshme, pasi hipja e civilëve në mjetet ushtarake, duhet të autorizohej nga eprorët ushtarakë e jo civilë të Meçollarit, gjë e cila nuk rezulton e dokumentuar.
Siç ka mësuar ABC News, ceremonia martesore do të zhvillohej për djalin e një ish-ushtaraku, i cili kishte njohje të afërta me Meçollarin.
Vetëm Meçollari nuk dha detaje për këto akuza, pavarësisht insistimit të ABC NEWS.
Grada e tij ushtarake, nuk është aq e lartë sa buja që vetë emri i tij ka bërë, për arsye të ndryshme.
Meçollari është kapiten i rangut të parë, grada e 4 për nga hierarkia ushtarake.
Ai kishte kundërshtuar paktin detar të 2009 të firmosur nga Lulzim Basha, por emri i tij u risoll në qendër të debateve në vitin 2018, kur Ditmir Bushati, e përfshiu në grupin negociator për marrëveshjen e detit me Greqinë
“Dua të denoncoj me ashpërsinë më të madhe vendosjen në kryer të grupit të një ish-spiuni të FA i larguar pas dokumentimeve të Shërbimit Informativ”, u shpreh Berisha.
Olta Xhaçka që e kishte kthyer në punë ushtarakun, e mbrojti atë publikisht.
“Është larguar padrejtësisht nga FA dhe arsyet e vërteta janë se nuk pranoi të firmoste për heqjen e disa bazave detare nga plani i përhapjes për t’ia dhënë miqve të doktorit”, u shpreh Xhaçka.
Tashmë, Ministrja e Mbrojtjes zor se mund të shfaqë të njëjtin pasion mbrojtës për ushtarakun detar, të kësaj figure të ngecur mes patriotit apo spiunit.
Burime nga Ministria e Mbrojtjes thonë se marrëdhënia e tyre është krisur prej kohësh, dhe Meçollari është kapur dhe në disa shkelje të tjera, për të cilat, është paralajmëruar. /abcnews.al