Patozi: Hapja e listave më e rëndësishme se data e zgjedhjeve, do zoti s’më zhgënjejnë me 30%-shin

schedule15:36 - 5 Shtator, 2020

schedule 15:36 - 5 Shtator, 2020

Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patoz ka reaguar ë lidhje me zhvillimet më të fundit në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme në vendin tonë.

Patozi në reagimin e tij ka theksuar se çështja kryesore te e cila duhet të fokusohemi është hapja e listave 100 % dhe jo caktimi i datës së zgjedhjeve.

Patozi përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se partitë politike duan t’i mbajnë listat 30% të mbyllura, por sipas tij kjo do të ishte një marrëveshje okulte.

Ndër të tjera ai thekson se listat e hapura i interesojnë vetëm LSI-së, pasi sipas tij në zgjedhjet e ardhshme ka shumë gjasa që palët të garojnë jashtë koalicioneve.

Postimi i plotë:

DO ZOTI DHE NUK MË ZHGËNJEJNË PËR 30 PËRQINDËSHIN E LISTAVE

Ata që nuk kuptojnë fare çfarë po ndodh në Shqipëri, po presin me ankth që Ilir Meta të caktojë datën e zgjedhjeve, gjëja më pa vlerë në betejën e ardhshme politike. Jo thjesht se marzhi është i kufizuar, nga mesi i prillit, deri në mesin e majit, që praktikisht do të thotë asgjë.

Lojtarët kryesorë, që i kushtuan vëmendje ftesës së Presidentit, duke u përfaqësuar në nivelin më të lartë për një çështje pa pikë rëndësie, në fakt, kanë një hall tjetër, por që askush nuk e përmend.

Çfarë do të bëjnë me listën e hapur, do ta mbajnë 30 përqindëshin e mbyllur për vete, apo jo, se për atë po u qan zemra dhe me to po i bëjnë të gjitha llogaritë elektorale.
Dhe në rast se hapja nuk do të jetë 100 përqind, por me klauzola, ku sërish kryetarët të kenë çelësin e artë të përfaqësimit, ta dini se do të jetë një marrëveshje e re okulte e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Të cilët nuk ka nevojë as të takohen dhe as të qepallohen për interesa qartësisht të përbashkëta.

Nga kjo dakordësi e përjashtoj LSI-së, jo se është më e mirë, por sepse asaj nuk i leverdis fare lista e mbyllur 30 përqind, në rast se do të garojë e vetme në këto zgjedhje. Dhe kjo ka më shumë mundësi që të ndodhë, mjafton që të ndjekësh aktivitetin publik të Ilir Metës.

Në këtë kontekst, e vetmja gjë që duhet pritur me kërshëri nga qytetarët e angazhuar politikisht është se si do të shkruhet në Kodin e ri Zgjedhor hapja e listës, e cila u konsiderua si revolucion për sistemin tonë politik, por që në fakt është një taktikë hileqare e Edi Ramës kryesisht për të marrë avantazh parazgjedhor.

Unë uroj shumë që PS dhe PD ta ruajnë 30 përqindëshin e mbyllur në listat e tyre dhe ka shumë gjasa që ata të mos ma zhgënjejnë pritshmërinë. Do të ishte një argument më shumë për shqiptarët për të kuptuar se kë duhet të refuzojnë pa asnjë mëdyshje në këto zgjedhje. Pastaj, le të mendohen për ata që duhet të pranojnë, se kanë kohë. e.su./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!