23 prokurorë të posaçëm në 7 qytete, Çela: Hetim pastrimit të parave, shqetësim serioz për vendin

schedule15:52 - 14 Shtator, 2020

schedule 15:52 - 14 Shtator, 2020

Prokuroria e Përgjithshme ka bërë një tjetër lëvizje në luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, krimeve financiare dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale. Prej fillimit të muajit shtator janë krijuan dhe nisën punën seksionet e posaçme në 7 prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Korçë.

Janë 23 prokurorë, pjesë e seksioneve të posaçme, që do të angazhohen posaçërisht në hetimet që lidhen me krimet në fushën e tatimeve, doganave, pastrimin e produkteve të veprës penale, financimin e terrorizmit, dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale. Prokuroria e përgjithshme thekson se përmes krijimit të këtyre strukturave, synohet rritja e efikasitetit në hetimin dhe gjykimin e këtyre veprave penale si dhe goditja e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme.

Strukturat e krijuara do të mbështeten nga njësi të specializuara në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë e Tatimeve, Drejtorinë e Doganave si dhe nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Puna e tyre do të mbështetet në nivel qendror nga koordinimi mes Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë Brendshme dhe Ministrisë së Financave, të cilat do të garantojnë sigurimin e mbështetjes së nevojshme për mirëfunksionimin e tyre.

Prokuroria e Përgjithshme, duke vlerësuar se krimet financiare dhe pastrimi i produkteve të veprës penale janë kthyer në një shqetësim serioz për vendin, është e angazhuar në bashkëpunimin me institucionet përkatëse për të përmbushur rekomandimet e Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KSA), midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian si dhe Planit të Veprimit të ICRG/FATF” deklaron prokuroria e përgjithshme e drejtuar nga Kryeprokurori Olsian Çela. db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!