Pasuesja e Juncker flet për Brexit

schedule23:45 - 10 Korrik, 2019

schedule 23:45 - 10 Korrik, 2019

Gruaja e emëruar për të pasuar Jean-Claude Juncker në krye të BE-së ka folur për herë të parë në lidhje me Breksit. Ursula con der Leyen ka deklaruar se shpreson që Britania e Madhe të heqë dorë nga divorci i planifikuar me Brukselin. Në të kundërt, ajo i ka bërë thirrje Londrës që të tregohet më e moderuar sa i takon mënyrë së largimit.

E emëruara për postin e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se shpreson që Mbretëria e Bashkuar të heqë dorë nga plani për t’u larguar nga BE-ja.

“Unë ende shpresoj se ju mund të qëndroni”, ka thënë von der Leyen, duke i bërë thirrje autoriteteve britanike që të gjejnë sa më shpejt qëndrimin e tyre të unifikuar për Brexit.

Zonja von der Leyen ka folur në një seancë të mbajtur në Parlamentin Europian, në prag të votimit mbi nominimin e saj që mbahet javën e ardhshme. Ajo është zotuar se, nëse konfirmohet do ta bëjë Bashkimin Europian më ambicioz në çështjen e ndryshimeve të klimës dhe do të punojë për më shumë barazi gjinore brenda bllokut.

Von der Leyen, që aktualisht është ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë, nëse konfirmohet do të zëvendësojë presidentin në ikje të KE-së, Jean-Claude Juncker më 1 Nëntor. Nëse kjo ndodh, ajo do të jetë gjithashtu e para grua që emërohet në postin më të lartë të Europës së bashkuar. Në vijim të fjalimit të saj, ministrja gjermane u ka bërë thirrje ligjvënësve britanikë që të marrin përsipër përgjegjësitë sa i takon mënyrë së largimit të Britanisë.

“Marrëveshja e negociuar nga kryeministrja në ikje Theresa May me liderët e BE-së ishte e mirë”, ka shtuar ajo në komentet e para lidhur me Breksit që nga nominimi i saj. Gjithashtu, von der Leyen ka paralajmëruar dy konkurrentët për zëvendësimin e Mej, Boris Johnson dhe Jeremy Hant, se “gjuha dhe takti” i Brexit janë jetike për përcaktimin e marrëdhënieve të ardhshme mes dy palëve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!